E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Te gatshem per bashkepunim vullnetmire me opoziten

Kryeministri Berisha priti sot në takim Luca Volonte, anëtar në Parlamentin Italian, si dhe President i Grupit Popullor Kristian – Demokrat në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe anëtar i Komitetit Presidencial të kësaj Asambleje.

Kryeministri shprehu kënaqësinë për vizitën e zotit Volonte, si dhe nënvizoi si arritje të rëndësishme zgjedhjen e zotit Jean-Claude Mignon si President të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Në takim u diskutua për bashkërendimin e përpjekjeve në Asamblenë Parlamentare të KE në kuadër të PPE-së.

Kryeministri vlerësoi rolin e Këshillit të Evropës dhe u ndal në mënyrë specifike në kontributin që KE dhe institucionet e tij mund të japin, pas pranverës arabe, në vendet e Magrebit dhe të lindjes së afërme.

Kryeministri nënvizoi se roli dhe marrëdhëniet e KE me këto vende, me të cilët Evropa ndan Mesdheun dhe një trashëgimi kulturore të rëndësishme, do të jetë tema e Presidencës së ardhshme shqiptare të Këshillit të Ministrave të kësaj organizate.

Kryeministri theksoi se pranvera arabe u ka hapur këtyre vendeve një horizont të ri shprese, lirie, demokracie dhe progresi dhe se vlerat e KE mund të shërbejnë si një model për progresin demokratik të këtyre vendeve. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi rolin e madh që Italia, me prestigjin e saj, mund të luaj në këtë rajon.

Nga ana e tij, Volonte e vlerësoi këtë temë, si me rëndësi të madhe në interes të Evropës dhe u ndal në kontributin që Shqipëria jep me modelin e saj unik të tolerancës fetare.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit politike në vend.

Kryeministri rishprehu gatishmërinë për bashkëpunim vullnetmirë me opozitën dhe të gjithë faktorët e tjerë në çuarjen përpara të procesit të integrimit evropian dhe reformave të nevojshme në këtë drejtim.

Ai shprehu shpresën se i njëjti vullnet do të konkretizohet edhe nga opozita në mënyrë që vendi të përmbushë objektivat strategjik të integrimit evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›