Integrimi, Berisha: Të gatshëm për bashkëpunim me opozitën

Kryeministri Berisha rishprehu gatishmërinë për bashkëpunim me opozitën dhe të gjithë faktorët e tjerë në çuarjen përpara të procesit të integrimit evropian dhe reformave të nevojshme në këtë drejtim. Gjatë një takimi me Presidentin e Grupit Popullor Kristian-Demokrat në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës Luca Volonte, Berisha shprehu shpresën se i njëjti vullnet do të konkretizohet edhe nga opozita në mënyrë që vendi të përmbushë objektivat strategjik të integrimit evropian.
Kryeministri vlerësoi rolin e Këshillit të Evropës dhe u ndal në mënyrë specifike në kontributin që KE dhe institucionet e tij mund të japin, pas pranverës arabe, në vendet e Magrebit dhe të lindjes së afërme. Kryeministri nënvizoi se roli dhe marrëdhëniet e KE me këto vende, me të cilët Evropa ndan Mesdheun dhe një trashëgimi kulturore të rëndësishme, do të jetë tema e Presidencës së ardhshme shqiptare të Këshillit të Ministrave të kësaj organizate.
Kryeministri theksoi se pranvera arabe u ka hapur këtyre vendeve një horizont të ri shprese, lirie, demokracie dhe progresi dhe se vlerat e KE mund të shërbejnë si një model për progresin demokratik të këtyre vendeve. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi rolin e madh që Italia, me prestigjin e saj, mund të luaj në këtë rajon.
Nga ana e tij, zoti Volonte e vlerësoi këtë temë, si me rëndësi të madhe në interes të Evropës dhe u ndal në kontributin që Shqipëria jep me modelin e saj unik të tolerancës fetare.