E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Të miratohet heqja e imunitetit. PS, anti-privatizim

Kryeministri Berisha ka kërkuar sot miratimin e ligjit për heqjen e imunitetit. Duke folur në në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kryeministri Berisha ka shtuar se heqja e imunitetit është në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe jo për kredibilitet partiak.
 

“Pritet që në ditët që vijnë të votohet imuniteti në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë. Në 10 vjet betejë kurrë nuk është bërë për kredibilitet partiak. Ajo që fiton është vendi dhe miratimi I heqjes së imunitetit është mesazhi më i duhur që ne dërgojmë për qytetarët shqiptarë, por edhe për të përcjellë një mesazh partnerëve tanë kundrejt të cilëve kemi detyrime të jashtëzkonshme” theksoi Berisha.

Gjithashtu kryeministri Berisha  ka theksuar se Partia Socialiste dhe kreu i saj Edi Rama duhet të lerë pas në fushatën elektorale, atë që shefi i qeverisë e etiketoi, politikën e trillimit.

"Zoti Rama ka filluar fushatën elektorale dhe uroj që mos ti avullojë benzina rrugës por e ftoj gjithashtu që në këtë fushatë të lërë mënjanë fabrikën e trillimit në rrafshin ekonomik dhe ti referohet social demokracisë europiane dhe botërore e cila në aktivitet e saj ka pa diskutim praktika, projekte, alternativa solide. Shpreh keqardhjen për tezën e opozitës se mjerimi sot është më i madh. Gjatë viteve të PS-së në pushtet u vendos sistemi i korrupsionit, fenomen i cili ekziston ende, por ka një luftë solide kundër tij” theksoi Berisha.

Gjithashtu, kryeministri Berisha i është referuar edhe privatizimit të Albpetrolit dhe 4 HEC-eve ndërsa ka shtuar se programi ekonomik i PS-së është i bazuar tërësisht në antiprivatizim. Ai e ka krahasuar  kreun e PS-së me liderin e Venezuelës Hugo Chavez.  “Qëndrimi antiprivatizim është në kundërshtim flagrant me atë që kërkohet nga ekonomistët e mëdhenj në botë. Tendenca dhe rryma nuk është Chavezi. Je i verbuar nga Chavezi ose nuk di çfarë do të thotë koncension. Asgjë jo normale e aspak bombastike me ofertën në tenderin për Albpetrol. Jo z. Rama je shumë gabim. Të ka ngelur mendja te 20%, nuk është bombastike. Në treg, në ankand, në koncesion, këto janë gjërat të zakonshme. Mund të të ofrohet asgjë por mund të ofrohet shumëfishi i asaj që ke përcaktuar dhe këtu nuk ka asgjë bombastike. Në këtë tender u ofruan kompani nga më seriozet”, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›