E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Të pritet me durim rezultati për Tiranën

Gjatë një konference shtypi, Berisha kërkoi nga qytetarët dhe opozita që të presin me durim përfundimin dhe shpalljen e rezultatit për Tiranën.

“Me durim dhe qytetari të ndjekin zgjidhjen, rezultatin përfundimtar të dalë për Tiranën. Zgjedhjet në Shqipëri janë çështje e shtetit ligjor. Janë testi dhe prova e funksionimit të shtetit dhe institucioneve të tij. Unë i garantoj qytetarët shqiptarë, se institucionet do të japin zgjidhje të saktë për garën e ngushtë të Tiranës. Nga numërimet e fundit, Basha rezulton mbi 70 vota para”, tha Berisha.

Kryeministri shtoi se më i rëndësishëm në këtë rast, është procesi se sa rezultati. “Jam i bindur se institucionet e shtetit do të zgjidhin edhe këtë problem delikat. Ky është një proces me rezultat të ngushtë, por e mundshme për të zgjidhur dhe bërë transparencë për çdo votë. Plotësisht e mundshme për të nxjerrë në dritë të diellit rezultatin përfundimtar”, shtoi ai.

Berisha tha gjithashtu se partnerët ndërkombëtar nuk bëjnë tifo për ndonjë kandidat, por ata sipas tij, “duan të shohin në këtë vend funksionimin e plotë të shtetit ligjor. Çdo shqiptar duhet të ndihet krenar, kur institucionet e tij për të cilat ka investuar të japin zgjidhje. Në çdo zgjedhje ka një humbës dhe një fitimtar”. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-05-21 13:21
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›