E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Të vendosur për t’i garantuar sigurinë opozitës

Deklarata e kryeministrit shqiptar erdhi gjatë fjalës së përshëndetjes që bëri në takimin e 27-të ndërkombëtar “Siguria globale, sfidat në rritje”, që po mbahet këto ditë në Berlin. Gjatë fjalimit, Berisha u ndal edhe tek zgjedhjet në Shqipëri.

“Unë mbetem i përkushtuar ndaj idealeve të mia të para në jetën politike, të cilat ishin shumë të thjeshta: votë e lirë, fjalë e lirë”, theksoi kryeministri shqiptar.

Duke folur konkretisht për zgjedhjet e 28 qershorit, kryeministri theksoi se qeveria bëri më të mirën për një proces të lirë dhe të ndershëm.

“Këto zgjedhje ishin unike në historinë e vendit tim. Ato u mbajtën në një situatë totalisht të ndryshme, me një teknologji totalisht të re, lista votuesish dixhitale, pasaporta biometrike dixhitale dhe karta identiteti. Unë vendosa të pranoj çdo propozim të opozitës dhe kisha të drejtë. Pyetjeve të bashkëpunëtorëve të mi, unë iu përgjigje se detyra e qeverisë sime është t’i jap siguri të plotë opozitës. Kështu, ne futëm një ligj plotësisht konsensual, rregulla dhe instruksione në këto zgjedhje dhe të drejtën e vetos, për çdo komisioner, çdo observues”, theksoi ai.

Një vend të veçantë në fjalën e tij, Kryeministri Berisha i kushtoi bashkëpunimit rajonal. Ai rishprehu vlerësim se për rajonin tonë është hapur një kapitull i ri pas gjithë atyre vuajtjeve në të shkuarën.

Takimi “Siguria globale, sfidat në rritje” u organizua nga Qendra për Studime Strategjike, dhe mbështetet nga Ministria gjermane e Mbrojtjes, nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, Universiteti i Tennesse, si dhe nga kompani të mëdha, si Microsoft, CISCO, Lockheed Martin, etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›