Berisha-Thaçi: E ardhmja e shqiptarëve, së bashku drejt integrimit në BE
Kryeministrat e dy shteteve shqiptare të rajonit janë takuar në Durrës, në një drekë private që ka sanksionuar bashkërendimin e gjerë të përpjekjeve, për integrimin e njëkohshëm të shqiptarëve të rajonit, në hapësirat euroatlantike
Kryeministri Sali Berisha ka pritur dje në Durrës në një drekë pune kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Në një konferencë të përbashkët për shtyp kryeministri Berisha ka theksuar se në fokusi i bisedës kanë qenë çështjet e integrimit.
Në fjalën e tij kryeministri Berisha duke vlerësuar hapat e Kosovës ka theksuar se Kosova ka mbështetjen e Shqipërisë në hapat e saj të integrimit të strukturat e Bashkimit Evropian.
“Ishte një drekë, në të cilën nga alfa tek omega u diskutua vetëm perspektiva europiane e dy vendeve tona, proceset integruese të Shqipërisë dhe Kosovës, bashkëpunimi midis dy vendeve në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, liberalizimit të vizave, procese këto të bazuara fund e krye, në performancën, meritën dhe në vendosjen e standardeve europiane në Shqipëri dhe në Kosovë, si interesi jetik i qytetarëve të vendeve tona.
Unë përshëndes progresin e madh që Kosova e pavarur ka bërë gjatë këtyre viteve, kontributin e saj madhor në paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Në tërë historinë e gadishullit, marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë nuk kanë qenë kurrë të mira siç janë sot. Marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë dhe me të gjitha vendet përreth, përveç fqinjit verior, do të thosha se janë shembull frymëzimi. Aspiratat e qytetarëve të të dy vendeve për integrim në Bashkimin Europian janë promotor i fuqishëm e themelor i këtij procesi dhe detyrim madhor i qeverive të dy vendeve tona. Me zotin Thaçi ramë dakord që të shkëmbejmë çdo dokument, çdo ligj, çdo platformë, projekt dhe program në interesin më të mirë të këtij procesi, të japim çdo ndihmë teknike në mënyrë që ky proces të jetë fund e krye, i bazuar në standardet më të mira”, u shpreh kryeministri Berisha.
Sipas tij, gjatë bisedës është diskutuar dhe për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomike, bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës, në fushën e energjisë.
“Dreka vërtet ishte një drekë pune private, por axhenda e saj ishte kryekëput zyrtare dhe nga më të rëndësishmet. Edhe një herë dua të falënderoj zotin Thaçi, ministrat e tij për të pranuar ftesën për këtë drekë, për të cilën mendoj se ishte e shkëlqyer”, theksoi Berisha.
Nga ana e tij kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se Kosova është e angazhuar të përmbushë të gjitha kriteret për të përshpejtuar procesin e integrimit të saj.
“Perspektiva e sigurt e Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Europian, NATO dhe në OKB theksoi Thaçi duke shtuar se gjithashtu ka diskutuar edhe për bashkëpunim në proceset integruese pasi Shqipëria është një përvojë suksesi për Kosovën. Kisha kënaqësinë që në këtë drekë private pune, me axhendën më të lartë shtetërore me perspektivë euroatlantike, të informoj Kryeministrin Berisha për hapat që po ndërmerr shteti i Kosovës në konsolidimin e shtetit më të ri, në avancimin e proceseve integruese euroatlantike, në bashkëpunimin rajonal që kemi ndërtuar me të gjitha vendet e rajonit, me procesin e zhvillimit ekonomik dhe të gjitha këto përkushtime për respektimin dhe zbatimin e të gjitha kritereve demokratike, si parakusht i domosdoshëm për t’u integruar, qoftë ato kritere politike, ekonomike, apo të legjislacionit”, u shpreh kryeministri i Kosovës, Thaçi.
Ai vlerësoi se bashkëpunimi mes dy qeverive tona është një bashkëpunim i shkëlqyer.
“Diskutuam edhe për bashkëpunimet tona bilaterale, por, në të njëjtën kohë, me theks të veçantë shfrytëzimin më të mirë të përvojave e kësaj radhe të Shqipërisë, si një përvojë e suksesit, edhe për Kosovën në të ardhmen, që të implementojmë të gjitha angazhimet që kemi edhe në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshëm, të Ministrisë së Integrimit Europian, pastaj të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe aspekteve të tjera”, deklaroi më tej, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në përfundim të dy kryeministrat deklaruan se statusi i Kosovës është i pakthyeshëm dhe se bota e gjerë demokratike po njeh pavarësinë e saj.
Kryeministri Hashim Thaçi
“Përvoja e suksesshme e Shqipërisë, ndihmë për integrimin e Kosovës”
“Unë e theksova edhe më parë, se përvoja e suksesshme do të mund të jetë një ndihmesë e madhe për të ardhmen edhe të Kosovës. Këto përvoja i diskutuam me Kryeministrin Berisha dhe me ministrat përkatës, në veçanti për sa i përket angazhimeve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pastaj Ministrisë së Integrimit, të Ekonomisë dhe Financave dhe në shumë segmente të tjera të administratës dhe shumë segmenteve të tjera institucionale të bashkëpunimit. Ky bashkëpunim ka qenë funksional edhe deri më tani, por jemi duke hyrë në një fazë të re që kërkon një intensifikim edhe më të lartë. është një sukses i madh reduktimi i trupave të KFOR-it në kufirin me Shqipërinë dhe marrja e kontrollit të kufirit nga policia e Kosovës në anën e Kosovës. Në anën tjetër, ne jemi duke bashkëpunuar me të gjitha vendet e rajonit, edhe me Maqedoninë që kemi një bashkëpunim të shkëlqyer, me të cilën kemi rregulluar çështjen e demarkacionit të kufirit, tanimë jemi në fazën finale të fillimit të punëve të përbashkëta edhe me Malin e Zi, në mënyrë që të qartësohet vija kufitare, që do të jetë plotësisht në përputhshmëri me vijën administrative që ka qenë, e vitit 1974. Pra, do të jetë një bashkëpunim prej nivelit më të lartë, deri tek nivelet teknike më të ulëta, të domosdoshme për këtë bashkëpunim. Faleminderit”.