“Ndryshimi i Kodit, jo ndryshime rrënjësore”

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani
Në pritje që politika të nisë punën për amendimin e ligjit të zgjedhjeve, sesionin e ardhshëm parlamentar për shefin e KQZ–së, Arben Ristani, ndërhyrjet në kod nuk duhet të jenë thelbësore. Dhe nëse diçka e tillë do të ndodhë, sipas Ristanit, për të mirën e zgjedhjeve, duhet të mos ndodhë minutën e fundit.
“Ndryshimet thelbësore në rast se do të ndodhin duhet të ndodhin në kohë, shumë shpejt në krahasim me datën e zgjedhjeve. Po unë nuk besoj se do të ketë ndryshime thelbësore pasi në përgjithësi ndryshimet thelbësore, nuk janë të këshillueshme të ndodhin shpesh. Patëm një ndryshim thelbësor në Kodin e ri, i cili ndryshoi totalisht sistemin zgjedhor në Shqipëri. Kështu që, unë pres të ketë ndryshime cilësore për të riparuar ato që praktika ka treguar se mund të jenë më mirë”, u shpreh kreu i KQZ-së Arben Ristani.
Ndërsa për mundësinë e riformatimit të KQZ-së, sipas formatit të ri politik, dhe pretendimeve në rritje të LSI-së për anëtarë në këtë komision,
Ristani përgjigjet se “nuk mund të ketë ndryshim pa u ndryshuar ligji dhe kjo është e sigurt”.
“Po nga ana tjetër, unë nuk besoj që ndryshimi ligjor do të futet në këto pjesë. KQZ i përgjigjet një formule të caktuar që është gjithëpërfshirëse dhe mendoj që mund te ecim me këtë rrugë”, tha ai.
Pak ditë më parë kryetari i KQZ-së deklaroi se po bën gati një draft me sugjerimet e komisionit për ndryshimet në kod. Një ndër to është dhe certifikimi i komisionerëve, të cilët synohet të jenë të përhershëm dhe jo partiakë.