E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Deklarata e popullorëve, ultimatum ndaj Edi Ramës që të respektojë ligjet”

Flamur Noka dënon sulmet e kryesocialistit si praktika bllokmene

Deputeti i PD-së Flamur Noka reagoi dje se Edi Rama i është kundërvënë popullorëve evropianë, për faktin se këta të fundit shpërfillën qëndrimin e tij për të bllokuar integrimin e vendit dhe bllokuar heqjen e vizave. Gjatë një deklarate për shtyp, Noka tha se Partia Popullore Evropiane përshëndet progresin e bërë nga Shqipëria dhe kjo deklaratë erdhi menjëherë pas vendimit të votuar unanimisht nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian për heqjen e vizave.
“Liderët europianë popullor i kërkojnë zotit Rama të respektojë Kushtetutën e të veprojë konform shtetit ligjor, duke i kujtuar se ky është kriter i Kopenhagenit. Liderët e mëdhej europianë theksojnë se “Qeveria shqiptare ka bërë një numër të madh koncesionesh për të plotësuar kërkesat e opozitës. Kryeministri Berisha u ka ofruar atyre shumicën dhe kryesimin e një komisioni hetimor parlamentar. Por sa më shumë koncensione bënte Berisha, theksojnë liderët europianë, Edi Rama bënte vazhdimisht kërkesa të reja, të cilat bien në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin zgjedhor dhe vendimet e mëparshme gjyqësore”, theksoi Noka, duke shtuar se liderët europianë në deklaratën e tyre thonë se “zoti Rama nuk është i interesuar për një marrëveshje në respekt të shtetit ligjor dhe të Kushtetutës”.
Sipas tij, Partia Demokratike vlerëson angazhimin e personaliteteve të larta evropiane në kontributin që i japin Shqipërisë për heqjen e vizave dhe për proceset e integrimit, ndërsa opozita dhe Edi Rama duhet të heqin dorë nga praktikat bllokmene.
“I kërkojmë zotit Rama të vërë vath në vesh çfarë i kërkon Europa dhe i themi zotit Edvin se është i turpshëm sulmi dëshpërues që po organizon ndaj këtyre liderëve europianë, përmes zëdhënësve të neveritshëm rreth tij. Zoti Rama, ke dështuar në praktikat bllokuese prej bllokmeni dhe dukesh gjithmonë e më qesharak kur sulmon Europën dhe Perëndimin”, deklaroi më tej deputeti i PD-së Flamur Noka.
Prej ditësh me radhë Edi Rama organizoi një inkursion kundër ndërkombëtarëve, duke sulmuar në çdo dalje mediatike Partinë Popullore Evropiane dhe personalitetet e saj, për shkak të mbështetjes që po i japin Shqipërisë në finalizimin me sukses të proceseve të integrimit, pa harruar dhe liberalizimin e vizave. Fakt është se Partia Popullore Evropian me anë të një lobimi të fuqishëm arriti që të miratojë në Parlamentin Evropian rezolutën për integrimin e Shqipërisë, duke i dhënë një shuplakë të merituar tendencave të Edvinit për bllokimin e kësaj perspektive.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›