Bashkia e Tiranës po qeveriset nga njerëz që me çorape në kokë, grabisin paratë e qytetarëve
Selia blu i kërkon kryebashkiakut të Tiranës të lejojë transparencën për paratë e qytetarëve shqiptarë, pasi s’mund të tolerohet qeverisja e paligjshme, vetëm për larjen e borxheve dhe zgjidhjen e halleve të një individi
Partia Demokratike reagoi dje ndaj veprimeve banditeske të bashkisë së Tiranës, për të shmangur me çdo kusht kontrollet financiare.
Deputeti demokrat Gent Strazimiri tha se në bazë të ligjit, paratë e taksapaguesve shqiptare, të akorduara bashkive dhe komunave nga qeverisja qendrore, i nënshtrohen një procedure transparente dhe të mirëpërcaktuar kontrolli lidhur me mënyrën se si janë shpenzuar dhe sa kane mbërritur në destinacion. Ligjvënësi i mazhorancës tha se Rama duhet të bëjë transparencën e fondeve në përputhje me ligjin, pasi bashkia e kryeqytetit nuk mund të qeveriset “me çorape në kokë”.
“Këto ditë, jemi njohur me çudinë më të fundit të kryetarit të bashkisë së Tiranës, i cili refuzon kontrollin financiar rutinë të organeve të përcaktuara me ligj, në rastin konkret të Prefektit të Tiranës. Në bazë të ligjeve në fuqi, paratë e taksapaguesve shqiptare, të akorduara bashkive dhe komunave nga qeverisja qendrore, i nënshtrohen një procedure transparente dhe të mirëpërcaktuar kontrolli lidhur me mënyrën se si janë shpenzuar dhe sa kanë mbërritur në destinacion. I vetmi organ i qeverisjes vendore në Republikë, që refuzon transparencën, kontrollin dhe kësisoj ligjin, është bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj, përfituesi më i madh i fondeve të buxhetit të shtetit, pra parave të të gjithë shqiptarëve nga Tropoja deri në Delvinë. Bashkia e kryeqytetit nuk mund të qeveriset me çorape në kokë”, tha Strazimiri.
Deputeti i mazhorancës tha gjithashtu se shqiptarë meritojnë transparencën për paratë e tyre.
“Shqiptaret nuk kanë para tepër për të humbur në: xhepat, qokat, borxhet dhe hallet e asnjë individi! Shqiptarët duan dhe e meritojnë transparencën për paratë e tyre, e drejtë që u buron nga ligjet e këtij vendi, përpara të cilave të gjithë janë të barabartë, e në të cilat vjedhja dënohet! Duke e konsideruar këtë qëndrim të Edvinit, si një akt banditesk, në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, në emër të deputetëve të qarkut të Tiranës, kërkoj transparencën financiare deri në qindarkën e fundit të parave të taksapaguesve shqiptarë të akorduara bashkisë së Tiranës”, deklaroi më tej deputeti demokrat, Gent Strazimiri.
Reagimi i Partisë Demokratike vjen pas shkresës së bashkisë së Tiranës për të refuzuar auditin e brendshëm, duke dalë kështu mbi funksionet e ligjit.