E Diel, 1 Nëntor 2026

Fakti/Një vit nga zgjedhjet parlamentare, Shqipëria “ok” për vizat dhe në prag të marrjes së statusit kandidat

Një vit pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 2009-s, Shqipëria është gjithnjë e më pranë realizimit të aspiratave të integrimit, pasi ka marrë aprovimin paraprak të Brukselit për statusin kandidat dhe liberalizimin e vizave, procese këto që finalizohen brenda këtij viti. Një vit pas zgjedhjeve më të rregullta dhe të denja për një vend demokratik, Shqipëria renditet në krye të axhendës së BE-së falë atij angazhimi të jashtëzakonshëm më 28 qershor të vitit të kaluar dhe shoqërimin e procesit drejt një standardi shembullor.
Fakti që Shqipëria mori vlerësimet më të çmuara të ndërkombëtarëve, institucioneve të BE-së, organizatave ndërkombëtare që ndoqën nga afër procesin përmes vëzhguesve të tyre, i tregoi kancelarive perëndimore, përmbushjen me sukses të një obligimi më shumë se kombëtarë. I tregoi Zyrave të Brukselit se një vend që është vlerësuar si kandidat potencial për anëtarësimin në BE, por njëherazi dhe konsideruar si me demokraci të brishtë, është në gjendje të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, sipas rekomandimeve zyrtare të OSBE/ODIHR-it.
Zgjedhjet e 28 qershorit faktuan funksionimin e demokracisë, gjë e cila aplikohet rrallë në vendet e Ballkanit Perëndimor, nisur nga treguesit historik që karakterizojnë kulturën e secilit komb.
Më 28 qershor 2009-ë shqiptarët votuan si çdo shtetas i hapësirës së Bashkimit Evropian. Ata shkuan drejt qendrave të votimit me dokumentet më të mira që njeh bota demokratike, kartat e identitetit dhe me një regjistër tërësisht elektronik, duke i dhënë fund kështu falsifikimit të votës dhe dyshimeve të forcave politike për manipulime të mundshme të procesit. Sovrani vlerësoi atë që gjykoi si më të mirën. Vota unanime iu faturua Partisë Demokratike dhe koalicionit të saj “Aleanca për Ndryshim”, duke lënë përsëri në opozitë, për të dytën herë, Partinë Socialiste dhe koalicionin e saj.
Vota e lira dhe e ndershme çoi pikërisht në njohjen e një progresi mjaft domethënës, duke i hapur rrugë kështu integrimit të plotë në Bashkimin Evropian. Dorëzimi i kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në bllokun 27 anëtarësh është pikërisht fryt i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Miratimi i rezolutës për liberalizimin e vizave dhe për integrimin në tërësi, sërisht që ka si prapaskenë atë progres të shënjuar që nga 28 qershori i 2009-ës. Brukseli zyrtar dhe institucionet paralele të tij, nuk shprehën asnjë rezervë, por përkundrazi dhanë vlerësimet më të larta për atë arritje mbarë kombëtare.
Por, fatkeqësisht që nga ai 28 qershor e deri këtë 28 qershor, pra plot 1 vit, është shfaqur si “hije brejtëse” opozita me në krye Edi Ramën, të cilët jo vetëm që nuk njohin zgjedhjet, por shkojnë edhe më larg, duke depozituar në Bruksel raporte që nxijnë tërësisht zgjedhjet e 28 qershorit.
Përpjekjet e Ramës për të kthyer mbrapsht raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet, atë të Parlamentit Evropian dhe atë të Këshillit të Evropës, kanë qenë sa aktive sa edhe aq herë janë injoruar. Në këto kushte, 1 vit pas zgjedhjeve, Shqipëria është gjithnjë e më pranë anëtarësimit dhe shqiptarët do kenë në xhepin e tyre, një vizë “Schengen”, për të lëvizur të lirë në mbarë hapësirën evropiane.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›