E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Thithja e investitorëve të huaj, angazhimi ynë



Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka ftuar sipërmarrjen italiane të investojë në Shqipëri, pasi qeveria po punon për një klimë sa më të favorshme për biznesin. Kreu i qeverisë, duke përfituar nga ceremonia e hapjes së panairit “Fiera del Levante” në Pallatin e Kongreseve, e ka cilësuar organizimin e tij një ngjarje të madhe për ekonomitë e dy vendeve. I pranishëm në këtë event ishte Presidenti Vendola, ministri Urso, president i “Fiera del Levante”, ambasadori Saba d’Elia, ministri Prifti dhe përfaqësues të biznesit italian dhe atij shqiptar. “Do të doja të falënderoja presidentin Vendola, ministrin Urso, Ambasadën e Italisë, ambasadorin D’Elia, presidentin e “Fiera del Levante” për organizimin në Tiranë të kësaj ngjarjeje të madhe për jetën ekonomike mes dy vendeve, dhe mbi të gjitha mes Shqipërisë dhe Pulias, që kanë lidhje dhe interesa të përbashkëta, si dhe potenciale të jashtëzakonshme për një bashkëpunim shumë të ngushtë, në të gjitha fushat ekonomike”. Ai siguroi investitorët italianë, se Shqipëria është duke punuar çdo ditë për t’u bërë gjithnjë e më e dashur dhe më e hapur ndaj investitorëve të huaj, ndaj investitorëve puliezë. “Ne jemi duke punuar fort për të shkatërruar çdo pengesë burokratike, për të zgjidhur çështjen e pronës private, të sigurojmë investimet, por jemi gjithashtu edhe vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë, jemi vendi me një sportel të vetëm për regjistrimin e bizneseve, një vend ku taksat paguhen “online”, një vend ku tenderimet zhvillohen në mënyrë elektronike, një vend me regjistër elektronik të bizneseve”, - ka deklaruar Kryeministri i vendit. Ai nënvizoi se në dy muajt e fundit, në vendin tonë funksionon edhe një sportel i vetëm për licencat dhe lejet, pasi u eliminuan dy të tretat e tyre. Kreu i qeverisë nënvizoi se vendi ynë është duke adoptuar në çdo procedurë parimin “Heshtja është miratim” dhe se kjo bëhet për të frenuar burokracinë. “Shqipëria është një vend, por një vend me potenciale të mëdha dhe këto potenciale në fushën energjetike kanë tërhequr vëmendjen e firmave italiane, që janë duke punuar në sektorin hidrik, eolik, në biomasë dhe ne jemi të hapur për të gjitha burimet e tjera energjetike. Në këtë fushë, energjetikën pra, Shqipëria do të ketë një fuqi hidrike të jashtëzakonshme për t’u shfrytëzuar. Që do të thotë se në këtë vend do të ndërtohen më shumë se 440 hidrocentrale, nga më të mëdhenjtë deri te më të vegjlit”, - ka theksuar në fjalën e tij Kryeministri i vendit, Sali Berisha. Ai bëri të ditur se mjaft firma kanë paraqitur interes për Skavicën; “Marseglia” ka filluar punën për një termocentral me biomasë dhe një park eolik; “Moncada”, do të ketë platformë eolike, besoj se ndër më të mëdhatë në Evropë, që do të ndërtohet në Gadishullin e Karaburunit. Ne jemi duke ndërtuar 6 parqe industriale, ku industrialistët italianë do të mund të investojnë. “Unë do të citoj këtu Frensis Mejer, një ministër i qeverisë së Zhak Shirakut, që ka vizituar Shqipërinë disa muaj më parë. Ai ka shkruar se Shqipëria po bëhet një Kinë e vogël e Evropës. Ai ka këshilluar investitorët francezë që të marrin në konsideratë më parë Shqipërinë sesa Kinën e largët. Në realitet kjo duhet të jetë edhe motoja për investitorët puliezë dhe italianë”, - u shpreh kreu i ekzekutivit. Nga ana tjetër, ai bëri me dije se me mikun e tij të vjetër, Adolfo Urso, kanë rënë dakord për të bërë promocionin më të madh të potencialeve të Shqipërisë në Itali. “Jam i sigurt se presidenti Vendola është i gatshëm që të japë kontributin e tij në këtë fushë dhe i jam mirënjohës që të dyve, pasi gjithmonë në “Fiera del Levante”, prania shqiptare është mjaft e prekshme. Ju keni bërë shumë për të promovuar gjithnjë e më shumë potencialet e vendit tim”, - tha Berisha.

“Fiera del Levante”, Shqipëria hapësira të reja për zhvillimin e biznesit

Edicioni i nëntë i panairit “Fiera del Levante”, që u hap dje, pritet të krijojë hapësira të reja për zhvillimin e biznesit në vend. Përfaqësuesi i “Fiera del Levantes” në Tiranë, prof. Antonio Ciuffreda, ka deklaruar dje për median se panairi synon të transformohet në një ekspozitë tregtare të specializuar me emërtimin ECO BIZ EXPO. Ai nënvizoi se “Fiera del Levante” edhe këtë vit në Shqipëri, do ta kthejë Tiranën gjatë këtyre ditëve në kryeqytetin e biznesit. I konceptuar si një manifestim i biznesit dhe industrisë, gjatë ditëve të organizimit të këtij aktiviteti nuk do të mungojnë workshop-e dhe takime “business to business”, ku do të ftohen përfaqësues italianë të institucioneve, të sektorit të sipërmarrjeve, të atij ekonomik, social-kulturor dhe kreditimit, për t'u ballafaquar me homologët e tyre shqiptarë. Ndërsa zv.ministri italian i Ekonomisë, Adolfo Urso, u shpreh në ceremoninë e hapjes së këtij aktiviteti, se "në këtë hapësirë të “Fiera del Levantes”, Shqipëria është pikërisht vendi me më shumë lidhje historike me Italinë, ku më shumë se kudo tjetër është e përhapur gjuha italiane dhe në të cilin marrëdhëniet e hershme historike me Italinë përforcohen nga viti në vit".

Fokusi i investitorëve italianë, energjia në Shqipëri

Energjia është në fokus të investimeve italiane në Shqipëri. Kjo është e ditur në takimin që ka zhvilluar dje mes ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me z. Adolfo Urso, zv.ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Italisë. Ministri Prifti e konsideroi lidhjet ekonomike ndërmjet dy vendeve si lidhje historike dhe të konsoliduara. “Italia është vendi i parë donator në projekte të kooperimit, duke bërë të mundur ndërhyrje direkte në sektorë si infrastruktura, transportet, energjia, shëndetësi etj. Italia është gjithashtu bashkëfinancuese në kuadrin e programeve për bashkëpunim ndërkufitar, të cilat janë një impenjim shumë serioz për promovimin e zhvillimit socio-ekonomik dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve të zonës së Adriatikut”, -tha ministri Prifti. Ministri Prifti vuri në dukje interesin e madh të treguar mbi sektorët e energjisë, në industrinë e çimentos nga bizneset italiane në Shqipëri, duke përmendur edhe projektet e mëdha të licencuara nga Enti Rregullator i Energjisë për prodhimin e energjisë nga era. Ai përqendroi interesat e tij në investime për prodhimin e energjisë në Shqipëri, duke krijuar dhe lejuar për më tej eksportin për vendet fqinje, në veçanti atë të Italisë. Për këtë, - theksoi z. Prifti, - nevojitet edhe një investim i ri në linjat e interkonjeksionit, për të ofruar një klimë biznesi të përshtatshëm dhe plot lehtësira si ne "start-up" edhe gjatë menaxhimit të këtij lloj biznesi, duke vendosur theksin në impaktin mjedisor.

Ai paraqiti edhe iniciativën e qeverisë, që është marrë për të miratuar edhe ligjin e sigurisë së pronësisë në Shqipëri. Z. Urso shprehu besimin e tij të plotë si dhe të qeverisë italiane për përforcimin e bashkëpunimit. Nga të dy palët u vlerësua nevoja e fillimit të menjëhershëm të kompozimit të Komitetit të përbashkët midis dy vendeve për zhvillimin në fushën energjetike në mënyrë që të harmonizohen projektet në kohë sa më të shkurtër.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Republikës Italiane dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes e Republikës së Shqipërisë, me synimin që të arrihet një bashkëpunim gjithmonë e më i fortë e më i qëndrueshëm në sektorin ekonomiko–tregtar dhe në kuadër të lidhjeve të thella politike, historike e kulturore që karakterizojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, themeluan dje “Forumin Ekonomik Italo–Shqiptar”. Qëllimi i këtij forumi është krijimi i një organi të përhershëm këshillimor midis institucioneve dhe përfaqësuesve të biznesit italian dhe atij shqiptar, në kuadër të afrimit të Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, duke përcaktuar fushat e bashkëpunimit ekonomik, strategjitë dhe instrumentet operative të afta për të favorizuar investimet italiane në Shqipëri dhe investimet shqiptare në Itali.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›