E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha ia kthen ftesën Ramës me ftesë: “Do të shkoj në përurimet e tij kur ai të vijë tek të miat”



Kryeministri Berisha ka ftuar Edi Ramën të marrë pjesë në përurimet e veprave të ndërtuara me fondet e qeverisë. I pyetur nga mediat nëse ai do t’i përgjigjet ftesës së kreut të Bashkisë së Tiranës për të marrë pjesë në përurimet e veprave të Bashkisë, Berisha u shpreh se më parë duhet të shkojë Rama në përurimet e qeverisë. “Mund të shkojë në Sharrë, se është investim me fondet e qeverisë. Të vijë edhe zoti Rama në Sharrë, që është me fondet e qeverisë, më pas shkoj unë diku, që është me fondet e Bashkisë”, - është shprehur Berisha duke shprehur dëshirën që të ketë sa më shumë përurime, pasi janë në të mirë të banorëve. “Unë uroj që të ketë sa më shumë përurime, sepse ato janë interesi më i mirë i qytetarëve. Beteja politike është betejë politike, përurimet janë ato që ndryshojnë jetën e përditshme të qytetarëve. Por t’u deklarosh banorëve se do të shtrosh 62 rrugë, me 1.8 milionë dollarë, duhet të kesh matematikën e zotit Rama që të bësh një deklaratë të tillë”, - është shprehur Berisha. Edhe gjatë ditës së djeshme ai ka vazhduar sulmin ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës, duke u shprehur se Rama nuk ka ndërtuar asnjë shkollë në kryeqytet. “Dua të shpreh dhimbjen dhe keqardhjen se në Tiranë nuk është ndërtuar ndonjë shkollë e mesme, përkundrazi, te shkolla “Misto Mame” çdo tre vjet priten shirita inaugurimi për të njëjtin motiv. Tirana ka nevojë jo për deklarata në letër, jo për statistika të paqenë, por për shkolla dhe qeveria i ka dhënë Tiranës 2 miliardë lekë për 18 shkolla. Zoti Rama duhet t’u thotë qytetarëve se ku janë shkollat me kredinë e qeverisë. Ne nuk po kërkojmë llogari për fondet e Bashkisë, se atë duhet ta bëjë Këshilli Bashkiak, por kjo është kredi e qeverisë”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka theksuar se arsimi do të vazhdojë të mbetet prioritet i qeverisë së tij.

7 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›