Berisha: Tregohuni të matur ditën e zgjedhjeve
Kryeministri Berisha zhvillon takimet përmbyllëse në Devoll. Inauguron edhe fillimin e punimeve Qafë Plloç-Qukës
Korçë - Partia Demokratike ka mbyllur fushatën zgjedhore në kryeqendrën e juglindjes. Edhe gjatë takimit të zhvilluar në Korçë, Kryeministri Sali Berisha ka shmangur çdo akuzë drejtuar kryetarit të opozitës, Edi Rama.
Gjatë fjalës së mbajtur nga Korça, Kryeministri Berisha u ka kërkuar shqiptarëve që, përveçse të votojnë për partinë që ai drejton, të tregohen të matur gjatë së dielës, por dhe të urtë, për të mos rënë pre, sipas tij, e provokimeve.
Ai ka garantuar se pas kësaj dite shqiptarët do të nisin sfidën e tyre të madhe, atë të hyrjes në Evropë pa viza, ndërsa me projektin e vazhdimësisë së qeverisë së tij, do të fitojnë Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët.
Për sa i përket Korçës, ai ka shtuar se vota e saj është vota më plebishitare, së cilës i bashkohen të gjithë shqiptarët për realizmin e një ëndrre, startin e një vizioni të ri për të gjithë.
Berisha ka premtuar se në mandatin e dytë do të barazojë pensionet e fshatit me ato të qytetit, dhe rrogat do të jenë më të larta. Në takimin me qytetarët e Devollit, Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se nisën punimet për autostradën Qafë Plloç - Qukës, e cila shkurton distancën me Tiranën.
"Ju garantoj se shumë shpejt do të fillojë edhe autostrada e re Elbasan - Tiranë dhe ju, me prodhimet tuaja, do të kapni tregun e kryeqytetit në një kohë 2 herë më të shkurtër sesa tani",- tha ai. Gjatë këtij takimi, Berisha u ka bërë thirrje edhe socialistëve që të votojnë për PD-në.
"28 qershori është një datë e vërtetë historike, sepse më 28 qershor, ne, banorët më të vjetër të këtij kontinenti, vendosim për të shndërruar në realitet ëndrrën tonë evropiane. Ndaj, dua t'ju bëj thirrje të gjithë devollinjve, pavarësisht nga bindjet politike, socialistë e qytetarë të çdo bindjeje, bashkohuni me ne.
Thirrja ime është e ndershme, thirrja ime është vëllazërore dhe këtë thirrje e bëj, sepse ëndrra evropiane nuk është ëndërr vetëm e demokratëve, është ëndërr e të gjithë shqiptarëve. Ideali evropian është ideali i të gjithë shqiptarëve, është projekti më i bukur për mbarë shqiptarët, për familjen e tij dhe vendin e tij.
Ne që bëmë realitet ëndrrën euroatlantike të shqiptarëve dhe anëtarësuam Shqipërinë në NATO, ne kemi të gjithë vullnetin, të gjithë dijen, të gjithë përkushtimin, të gjithë besimin për të përgatitur Shqipërinë drejt vendimit përfundimtar për të shndërruar në realitet ëndrrën tonë evropiane",- tha ai.