E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inaugurohet rruga Rrëshen-Kalimash, Hashim Thaçi refuzon Berishën

Kryeministri shqiptar dhe ai i Turqisë inaugurojnë rrugën Rrëshen-Kalimash. Në ceremoni nuk mori pjesë Thaçi dhe asnjë personalitet tjetër i Kosovës


RRËSHEN - Dje është përuruar segmenti më i rëndësishëm i rrugës autostradale Rrëshen-Kalimash, një vend i përgatitur enkas në nyjën hyrëse të qytetit të Rrëshenit.


Përreth një orë, pjesëmarrësit janë argëtuar nën ritmin e një grupi këngëtarësh të njohur të muzikës shqiptare, ndërkohë që më pas ka filluar edhe ceremonia, ku krahas Kryeministrit Sali Berisha, i pranishëm ishte edhe Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Gjatë kësaj ceremonie ra në sy mungesa e personaliteteve të Kosovës, dhe vetë Kryeministrit Hashim Thaçi.


Fillimisht ishte parashikuar që në këtë ceremoni të merrte pjesë Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili arsyet e mungesës, me sa duket, ia komunikoi personalisht Kryeministrit Sali Berisha, në një takim të zhvilluar me këtë të fundit, dy ditë më parë.


Më pas, në agjendën e Kryeministrisë u përfshi pjesëmarrja e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Por as ky i fundit nuk mori pjesë dje, duke mos komentuar zyrtarisht arsyet e një mungese të tillë. Arsyet e mungesës së Thaçit nuk i ka komentuar dje as Kryeministri Sali Berisha.


Ceremonia


Ceremonia e djeshme e inaugurimit të segmentit më të rëndësishëm të rrugës Rrëshen-Kalimash ishte kthyer krejtësisht në një miting elektoral. "Sot, ne inaugurojmë korridorin e kombit, autostradën Rrëshen-Kalimash, e cila përbën veprën më të madhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe pavarësisë së Kosovës, për mbarë kombin shqiptar.


Korridori i kombit është korridori që i jep fund ndarjes në mes të trupit të kombit shqiptar. Korridori i kombit është vepra më e madhe e ndërtuar nga ky komb në tërë historinë e tij", - tha Berisha, gjatë fjalës së mbajtur. Ndërsa Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u shpreh i kënaqur për një vepër e tillë.


"Unë bashkë me mikun tim Berisha kemi bindjen e plotë se do të ketë zhvillime më të shpeshta në fushën ekonomike, investitorët tanë do të vijnë më shumë në Shqipëri, dhe Shqipëria do të bëhet një vend i rëndësishëm, ku investitorët tanë nuk do të prodhojnë vetëm për Shqipërinë, por edhe për Turqinë dhe vende të tjera.


Sipërmarrësit turq po investojnë në Shqipëri, veçanërisht, në ndërtim, banka, telekomunikacion, shëndetësi, metalurgji dhe miniera, dhe po tregojnë interes për sektorin e turizmit.


Unë me kolegun tim të nderuar kemi bërë projekte për gazin natyror dhe shpresojmë që së afërmi të realizojmë që gazi natyror të kalojë transit edhe në Shqipëri", - tha Erdogan. Kryeministri i Turqisë dhe ai shqiptar, Sali Berisha, të shoqëruar dhe nga ministra të qeverisë prenë shiritin e përurimit të këtij segmenti.


Ndërkohë, pas prerjes së shiritit, vargu i gjatë i makinave ka kaluar në drejtim të Kosovës, në aksin dykalimësh, i cili është asfaltuar i tëri, për të mos marrë më drejtimin nga Qafë-Mali i Pukës, por në një vijë drejtim shumë të shkurtër dhe komod.


Ndërkohe, dje në mesditë, Kryeministri Sali Berisha dhe ai i Turqisë, Erdogan, zhvilluan një takim në ambientet e Kryeministrisë. Pas takimit, në një dalje të posaçme për mediat, Kryeministri i Turqisë nuk la jashtë vëmendjes së tij edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare.


"Zgjedhjet që do të zhvillohen në Shqipëri ditën e diel do të kontribuojnë dhe do t'i japin një hov të ri paqes, bashkëpunimit e mirëkuptimit midis gjithë shqiptarëve. Unë kam bindjen se këto zgjedhje do ta fuqizojnë akoma më shumë demokracinë në Shqipëri",- tha Erdogan.

Çfarë është bërë deri më tani:


Ka përfunduar ndërtimi i 29 urave.
Ka përfunduar tuneli i Kalimashit, 5.575 km i gjatë. Janë asfaltuar dy kalimet dhe do të kalohet nëpër të.


Është vënë në funksion vetëm njëra pjesë dykalimëshme, e asfaltuar 60 kilometra.
Do të punohet në dy kalimet e tjera, për të cilat ende nuk ka një afat që rruga të jetë e përfunduar me të katër kalimet.
Ka disa hyrje (rotondo) në afërsi të Rrëshenit, një tjetër në Rreps dhe tjetra në Klos të Fanit.


Ndërkaq, pjesa tjetër nga hyrja e supërstradës Laç-Rubik-Rrëshen, është punuar dhe vazhdon të punohet në vetëm dy kalime. Pjesa nga Fushë Laç-Rubik, ka përfunduar me dy kalime e asfaltuar pjesa më e madhe nëpër gjurmët e rrugës hekurudhore, ndërsa pjesa tjetër, Rubik-Rrëshen, ende nuk ka përfunduar.


Vizita, Erdogani takohet me Topin

TIRANË- Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është pritur dje në një takim të veçantë edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Gjatë takimit, Erdogan është shprehur se, Turqia do të jetë aleatja kryesore, që do ta mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.


Erdogan nënvizoi mbështetjen e plotë të Turqisë në të gjitha fushat me synim integrimin e përbashkët në gjirin e familjes së madhe evropiane.


Ai theksoi se rruga Durrës-Kukës do të ketë efekte të rëndësishme për rritjen e shkëmbimeve ekonomike e tregtare, jo vetëm për Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe për mbarë rajonin.


Nga ana e tij, Presidenti Topi ndau të njëjtin vlerësim me Kryeministrin Turk, për lidhjen tregtare midis dy vendeve dhe bashkëpunimin reciprok në të gjitha fushat.


Por, në të njëjtën kohë, ai kërkoi rritjen e kompanive turke me investim në sektorin e energjetikës. "Kontributi i Turqisë ndaj vendit tonë është ndjerë në shumë drejtime, si strategjike ashtu edhe politike, por nuk mund të lihet pa përmendur ndikimi në reformimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura",- tha Presidenti Topi.


Rama i dhuron Erdoganit çelësin e Tiranës

TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, zhvilloi dje një takim me Kryeministrin turk, Taip Erdogan. Sipas njoftimit për shtyp të bashkisë, ky takim u zhvillua në frymën e një mirëkuptimi të plotë dhe miqësor.


Pas përshëndetjeve të rastit, kryebashkiaku Rama i ka dhuruar Kryeministrit turk çelësin e kryeqytetit, si një vlerësim që kryetari i bashkisë rezervon për njerëz të shquar, vizitorë të nderuar të Tiranës.


Fillimisht, Kryeministri turk i uroi suksese Edi Ramës në zgjedhjet e 28 qershorit. "Kryeministri i Turqisë, Erdogan, konstatoi me kënaqësi transformimin serioz dhe imazhin pozitiv të kryeqytetit shqiptar, ku padyshim vlerësoi arritjet dhe punën e Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit Rama në këtë drejtim",- thuhet në njoftimin për shtyp të Bashkisë së Tiranës

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›