Tri ditë para zgjedhjeve, KQZ në krizë
Debat i ashpër mes anëtarëve socialistë dhe demokratë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Subashi: "Po merrni vendime me forcën e kartonëve". Ristani: "Po bëni pis procesin"
TIRANË - Tri ditë para hapjes së kutive të votimit, kur pritej që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ishte shembull i mirëkuptimit edhe për komisionet e niveleve të dyta dhe të treta, ai është përfshirë në një debat të ashpër, çka ka sjellë që dy anëtarët socialistë, nënkryetarja Dëshira Subashi dhe Artan Lazaj, të largohen në mënyrë demonstrative prej mbledhjes.
Pretekst është bërë vendimmarrja e dy ditëve më parë e KQZ-së me votën e katër anëtarëve të djathtë për të miratuar një shtesë prej 700 fletësh votimi, për një kategori të veçantë zgjedhësish, siç janë të burgosurit, por shkaku duket se ka qenë tjetër, siç u shprehën vetë protagonistët e këtij konflikti, me tendencën e shumicës për miratuar të gjitha vendimet e rëndësishme me forcën e kartonëve.
Debatin e ka nisur përfaqësuesi demokrat në KQZ, Njazi Kosovrasti, i cili duke marrë fjalën në diskutimet jashtë rendit të ditës, i është rikthyer qëndrimit që mbajtën anëtarët e opozitës në vendimmarrjen për listat e të burgosurve në burgjet e Fushë-Krujës dhe Kosovës, në komunën Fierzë të Elbasanit.
E provokuar nga fjala e Kosovrastit, nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, ka reaguar duke u kujtuar edhe një herë homologëve të saj të djathtë se vendimi për shtimin e fletëve të votimit për këto dy qendra të posaçme votimi në këto dy burgje, ishte i paligjshëm dhe, për më shumë, u bazua në një dokumentacion jozyrtar, të paprotokolluar dhe të ardhur dorazi në tryezën e mbledhjes nga administrata.
Ajo ka gjetur rastin të kritikojë veças kryetarin e KQZ-së për mënyrën e menaxhimit të mbledhjeve, sidomos kur është rasti i vendimeve të rëndësishme, siç ishte edhe ai për përcaktimin e vendndodhjeve të QV-ve në ambientet private, ashtu edhe administratën e këtij komisioni, e cila sipas saj, nuk e ka respektuar dhe nuk i ka vënë në dispozicion asnjë informacion apo dokumentacion të nevojshëm për zhvillimin normal të mbledhjeve.
Për këtë arsye, ajo ka kërcënuar se, në rast se KQZ-ja do të vijonte të vepronte në këtë mënyrë, asaj nuk do t'i mbetej gjë tjetër veçse të largohej nga mbledhja. "Unë do të detyrohem që të largohem nga mbledhja e KQZ-së, përsa kohë ju, si drejtues i këtij komisioni, vijoni të merrni vendime me forcën e kartonëve, edhe kur ato nuk janë të bazuara në dokumentacione jozyrtare.
Anëtarët e KQZ-së duhet ta kenë të qartë problemin që kanë sot dhe pas një jave për të shqyrtuar", - tha Subashi. Në replikë me të, ka reaguar kreu i KQZ-së, i cili ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e zëvendëses së tij, duke i bërë të qartë se ka qenë nënkryetarja më e respektuar që ky institucion ka njohur ndonjëherë.
"Keni qenë nënkryetarja më e respektuar dhe më e nderuar e KQZ-së dhe keni pasur në kohë të gjitha informacionet dhe, çdo shkresë që ka dalë nga unë, para se të protokollohej, ka kaluar tek juve dhe ajo që më vjen keq, është se tani që po afrohen zgjedhjen dhe gjërat po shkojnë mirë, ju po mundoheni të bëni pis procesin", - tha Ristani, duke replikuar me Subashin.
Por numri dy i KQZ-së nuk e ka pranuar etiketimin që kryetari i KQZ-së i ka bërë qëndrimit të saj, duke hedhur poshtë të gjitha akuzat për bërje pis të procesit zgjedhor. "Unë bëj pis procesin, sepse kështu bëj pis vetveten. Korrespondenca që futet në vendimmarrje nuk është ajo që duhet të kemi ne dorë.
Vendimi i djeshëm për fletët e votimit ishte një nga vendimet më të rëndësishme dhe ju me katër vota keni shkelur disa nene për atë arritur në atë vendimmarrje", - tha Subashi, duke u larguar nga mbledhja, pavarësisht kërcënimeve të Ristanit që, në rast se do të mungonte dy mbledhje rresht, do të kërkonte shkarkimin e saj si anëtare e KQZ-së. "Por ju kujtoj se, nëse mungoni dy herë rresht, do t'u kërkoj të përjashtoheni nga komisioni në bazë të ligjit.
Po mundoheni me të gjitha forcat të bëni pis procesin", - tha Ristani. Në debat janë përfshirë edhe anëtarët e tjerë të KQZ-së, ku natyrisht, më i ashpri ka qenë ai mes dy anëtarëve të djathtë, Arben Ristanit dhe Klement Zgurit nga njëra anë, dhe anëtarit socialist, Artan Lazaj, nga ana tjetër, ku nuk kanë munguar edhe ofendimet personale mes tyre. Ndërsa Lazaj ka dalë në mbështetje të Subashit, duke deklaruar se gjuha e përdorur në këtë komision, si dhe përpjekja për të imponuar vendimmarrje me forcën e kartonëve e bënë edhe atë që në shenjë proteste të largohet nga mbledhja.
"Duke parë gjendjen e punimeve dhe duke u nisur nga kërcënimet e kryetarit, se po të mungoni dy ditë ju përjashtoj, dhe unë do largohem nga mbledhja", - tha Lazaj dhe më pas u largua nga mbledhja.
Por ndryshe nga Subashi, e cila u largua për të mos u kthyer më gjatë mbledhjeve të ditës së djeshme, Lazaj ka parë të arsyeshme që në mbledhjen tjetër të rikthehet në tryezë. Ndërkohë që edhe vetë Subashi ka konfirmuar për gazetën se ajo personalisht nuk ka një vendimmarrje për t'u larguar nga mbledhja, por se është në të drejtën e saj që të mungojë në seanca të ndryshme.
Tabelë debati
Subashi
"Unë do të detyrohem që të largohem nga mbledhja e KQZ-së, përsa kohë ju, si drejtues i këtij komisioni, vijoni të merrni vendime me forcën e kartonëve, edhe kur ato nuk janë të bazuara në dokumentacione jozyrtare".
Ristani:
"Keni qenë nënkryetarja më e respektuar dhe më e nderuar e KQZ-së dhe keni patur në kohë të gjitha informacionet dhe, çdo shkresë që ka dalë nga, unë para se të protokollohej, ka kaluar tek juve dhe ajo që më vjen keq, është se, tani që po afrohen zgjedhjen dhe gjërat po shkojnë mirë, ju po mundoheni të bëni pis procesin"
Subashi:
"Unë bëj pis procesin, sepse kështu bëj pis vetveten. Nuk bëj pis procesin, por sigurisht që problemi nuk është kaq rozë sa ju mundoheni ta paraqisni. Korrespondenca që futet në vendimmarrje nuk është ajo që duhet të kemi në ne dorë. Nuk jam këtu për t'i bërë fresk askujt, jam për të bërë detyrën time ashtu siç e mendoj, me përgjegjësi të plotë dhe natyrisht nuk do rri në këtë tavolinë sa kohë që shikoj se procesi cenohet".
Ristani:
"Ju kujtoj se, nëse mungoni dy herë rresht, do t'u kërkoj të përjashtoheni nga komisioni, në bazë të ligjit".