Braçe: PD shpërndan fletushka me avion maqedonas
Kandidati për PS-në, Braçe, ka deklaruar dje se po dhunohet territori i Shqipërisë
BERAT- Kandidati për deputet i PS-së në Qarkun e Beratit, Erion Braçe, ka akuzuar dje Partinë Demokratike, se si parti në pushtet po përdor në favor të saj të gjitha strukturat shtetërore.
Braçe ka akuzuar Kryeministrin në detyrë, Sali Berisha, se po përdor për fushatën e Partisë Demokratike të gjitha bazat ushtarake të Vlorës, Beratit e Kuçovës, ku nga këto njësi ushtarake ka kryer ulje dhe ngritje gjatë 7 ditëve të fundit një avion privat maqedonas, i prenotuar nga Partia Demokratike për shërbimet e saj elektorale, duke shpërndarë nëpërmjet hapësirës ajrore në të gjithë territorin e Qarkut të Beratit fletushka në favor të kandidatëve demokratë dhe duke shpalosur parullat e kësaj partie.
Braçe ka theksuar se disponon të gjitha dëshmitë e nevojshme nga ana e oficerëve të Bazës Ajrore në Kuçovë, që vërtetojnë se ky avion privat ka shfrytëzuar në mënyrë të jashtëligjshme territoret ushtarake me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes.
Braçe i ka bërë thirrje Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, të ndalojë menjëherë vënien në dispozicion të territoreve ushtarake në përdorim të Partisë Demokratike dhe Kryeministrit të detyrë, Sali Berisha, gjatë kësaj fushate elektorale.
Ai i ka kërkuar gjithashtu Topit që të hetojë këtë ngjarje dhe të vërë para përgjegjësisë ligjore të gjithë autoritetet ushtarake për këtë akt të paprecedentë, i cili shkel rëndë Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe misionin e forcave ushtarake të Shqipërisë.