E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS ligjëron në KQZ masat për ruajtjen e votës

Partia Socialiste ka vendosur që paketën e saj të masave për ruajtjen e votës ta përshtatë edhe nga ana ligjore


TIRANË - Partia Socialiste ka vendosur që paketën e saj të masave për ruajtjen e votës ta përshtatë edhe nga ana ligjore, në mënyrë që, veprimet që ajo ka parashikuar për këtë qëllim, të mos jenë të atakueshme as nga institucionet shtetërore, ashtu edhe nga raportet e ndërkombëtarëve.


Dhe puna ka nisur nga ligjërimi i masave për evidentimin e kartave false. Në funksion të saj, selia rozë ka paraqitur dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën zyrtare për të marrë një vendimmarrje për përdorimin e llambave apo makinerive me rreze ultravjollcë, nëpërmjet të cilave të bëhet evidentimi i vërtetësisë së kartave të identitetit, ose siç njihen në terminologjinë zyrtare, letërnjoftimet elektronike.


Selia rozë pretendon se në kartat origjinale të identitetit ekzistojnë disa pika të veçanta të padukshme me sy të lirë dhe që mund të evidentohen vetëm me aparate të tilla të posaçme ultravjollcë.


Nga PS-ja konfirmohet se në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ekzistojnë rreth 5500 aparate të tillë, që gjenden në depot e këtij institucioni që prej zgjedhjeve të 2005-ës, kur u përdorën për evidentimin e bojës matrikuluese, e cila në atë kohë ishte e padukshme.


Në pamundësi për të blerë tani aparate të posaçme të leximit të elementëve të sigurisë së letërnjoftimeve, PS-ja kërkon nga KQZ-ja që të përdorin këto aparate me rreze ultravjollcë. Në rast se KQZ-ja nuk miraton një vendim për përdorimin e tyre, atëherë PS-ja garanton se ka gati 6.000 aparatura të tilla, pra më shumë se çka qendra votimi në tërë Shqipërinë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›