E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: U përmbush profecia për Shqipërinë si e para e turizmit në botë. Duhet ta zhvendosim kombin drejt detit

Kryeministri Sali Berisha ia ka kushtuar mbledhjen e sotme të qeverisë turizmit në vend. Berisha tha se ai që parashikoi se Shqipëria do jetë Miss Turizmi sivjet, ishte një profet. Sipas tij, në vend kanë hyrë mbi 411 mijë turistë të huaj më shumë se një vit më përpara.

Ata që parashikuan Shqipërinë si të parën e turizmit në botë ishin profetikë. Kam kënaqësinë të informoj shqiptarët se nga 1 janari deri më 8 gusht kanë hyrë 411.972 shtetas të huaj më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pra kjo përbën një rritje të madhe dhe në shumë aspekte dëshmoi se Shqipëria gjithnjë e më shumë po bëhet magjia e turizmit. Nuk ndodh në ndonjë vend që të shënohet një rritje kaq  e madhe e turizmit siç po ndodh në Shqipëri. Vetëm më 5 gusht në Shqipëri u futën 57 mijë turistë e vizitorë. Pra, në Shqipëri hynë në një ditë më pak se një e gjashta e të gjithë turistëve që hynë gjatë vitit 2004. Shkoni ku të doni, unë ju garantoj se brigjet shqiptare dhe malet e këtij vendi nuk do i gjeni askund. Miq të mi shkuan në Monte Karlo për pushime, unë u thashë brigjet e Jonit janë absolutisht unikë në tërë Europën, tha Berisha.

Kryeministri Sali Berisha përsëriti se në asnjë vend tjetër nuk pushohet si në Shqipëri. Sipas tij, Shqipëria është vendi për ata njerëz që duan pushime të vërteta.

Berisha tha se është investuar shumë në turizëm. Vetëm në Vlorë janë investuar për turizmin mbi 600 milion euro, tha Berisha.

Kryeministri foli për ndërgjegjësimin e qytetarëve për të mos hedhur plehrat vend e pa vend. Sipas tij, investimet nuk kanë kuptim nëse qytetarët i hedhin plehrat në çdo vend. Natyrisht kjo është një kulturë që duhet krijuar. Arsyet e këtij qëndrimi janë të kuptueshme, por mundësia e ndryshimit është shumë e madhe, tha Berisha.

Kryeministri tha se Rinasi është aeroporti i tretë me rritjen më të madhe në Europë këtë vit. Ky trend e shndërron turizmin në një nga degët kryesore të ekonomisë në vend. Dhe të mos harrojmë se jemi vetëm në fillim. Kemi për të ndërtuar e zhvilluar edhe 90 përqind të bregut, tha Berisha.

Për çudi, dy javë më përpara, Berisha iu kërkoi shqiptarëve tu qepen maleve e kodrave dhe ti bëjnë ato të begata. Kurse sot ai u kërkoi shqiptarëve që të lëshohen drejt detit.

Ne duhet të realizojmë qëllimin që ta çojmë kombin drejt detit. Ne duhet të bëjmë që kombi të kthejë sytë nga deti. Ca zotërinj nuk mund ta besojnë se i tërë bregu ynë ka pasur vetëm tre fshatra peshkatarësh. Edhe ata që jetonin në bregdet i prisnin njerëzit me qingj. Pushtimet bënë që ne të gjenim strehë në mal. Por deti është ushqim, pasuri, mundësi shumë e madhe. Duke mos braktisur malin, por kombi sytë duhet ti ketë nga deti, tha Berisha.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›