Modernizimi i HEC-eve ka shtuar orët e punës
Sipas raportit të KESh-it, gjatë vitit 2010 janë kryer punime shërbimi për mirëmbajtjen
e pjesës hidro-mekanike dhe elektrike te hidrocentraleve, që konsistojnë në realizimin e remonteve vjetore të mesme, kapitale dhe profilaktike të planifikuara të agregateve,
si edhe remontet e pajisjeve dhe aparaturave ndihmëse të tyre. Punime të rëndësishme janë bërë në agregatin nr.2 në Fierzë, ku është instaluar transformatori i ri 150 MVA
242/13,8KV, duke zëvendësuar transformatorin e vjetër i cili ishte i pasigurt për punë. Gjithashtu, në agregatin 2 u krye remonti i thellë i portës së shkarkimit të tunelit nr.4, duke eliminuar të gjitha defektet dhe anomalitë në hapje që u konstatuan gjatë shkarkimeve të fillimvitit. Po kështu, edhe në Hec Koman është bërë pastrimi i rrjetave të marrjes së ujit në të gjitha agregatet nëpërmjet polumbarëve, duke bërë që të evitohen anomalitë e punës së gjeneratorëve. Në sajë të remonteve të kryera në të gjitha HEC-et gjatë vitit 2010, të gjitha hidroagregatet kanë qenë në gatishmëri të plotë dhe e tërë sasia e ujit që është shkarkuar nga turbinat është shfrytëzuar plotësisht për prodhimin e energjisë elektrike. Fuqia e instaluar disponibel ka qenë pothuajse e
barabartë me fuqinë e instaluar hidro, rreth 1 430 MW. Pas zëvendësimit të transformatorit të fuqisë, Agregati 2 është përdorur me ngarkesë nominale duke rritur orët e përdorimit gjatë 6-mujorit të dytë. Në Agregatin 3 të HEC Fierzë, për shkak të problemeve në rrotën e punës, janë kryer më shumë orë remonte. Krahasuar me mesataren shumëvjeçare, është vërejtur një koeficient i rritur i shfrytëzimit të
agregateve dhe një gatishmëri mjaft e lartë e tyre, pasi orët me avari janë pothuaj në vlerën zero. Nga treguesit rezulton se HEC Vau i Dejës ka arritur parametrat më të lartë të shfrytëzimit gjatë gjithë historisë se tij. Ndikim pozitiv në rritjen e eficencës së shfrytëzimit të hidrocentralit ka reduktimi i orëve të avarisë.