KESH: Viti 2010, më i mirë në 10 vitet e fundit për prodhimin e energjisë elektrike
Raporti i KESh-it bën me dije se viti 2010 ka qenë viti më i mirë për prodhimin e energjisë elektrike, jo vetëm në krahasim me vitin paraardhës, por viti më i mirë në 10 vitet e fundit. KESh citon në raport se viti 2010 konsiderohet si një vit i lagësht, gjë që ka ndikuar pozitivisht në prodhimin e energjisë elektrike në vend, duke krijuar mundësinë për të patur një prodhim më të lartë të energjisë elektrike në raport me vitet paraardhëse. Gjatë vitit 2010 u prodhua 7 519 853 MWh energji elektrike, prej nga Hec Fierzë prodhoi 2 667 440 MWh (35.47%), Komani 2 845 012 MWh (37.83%), Vau i Dejës 1 510 196 MWh (20.08%), Ulëza 156 468 MWh (2.08%), Shkopet 125 426 MWh (1.6%), Bistrica 139 300 MWh (1.85%), Bistrica 2 35 377 MWh (0.47%), Lanabregas 40 634 MWh (0.54%). Krahasuar me vitin 2009, sipas KESh-it, prodhimi i përgjithshëm i energjisë
elektrike u rrit me 2 408 149 MWh ose me 47%. Duke iu referuar raportit, pavarësisht faktit që viti 2010 ka qenë një vit i favorshëm nga ana hidrike, rritja e prodhimit të energjisë erdhi edhe si pasojë e mirëmenaxhimit të rezervës ujore dhe mbajtjes në
gatishmëri të lartë të HEC-eve. Në këtë mënyrë, raporti citon se gjatë 2010-ës, si rezultat i rritjes së prodhimit të energjisë, vendi ynë ka patur eksportin më të madh në vite. Në rritjen e efektivitetit të shfrytëzimit të rezervës hidroenergjetike ka ndikuar edhe eksporti dhe shkëmbimi i energjisë elektrike në situatat e prurjeve të mëdha nga ana e KESh sh.a. Bazuar në informacionet ditore, rezulton që gjatë vitit 2010 prurjet e lumenjve kanë qenë shumë më të larta krahasuar me ato të vitit 2009, si edhe me gjithë 10-vjeçarin e fundit. Përsa i përket ndryshimeve në krahasim me vitin 2009, nga Kaskada e Drinit më 2010-ën është prodhuar 50% më shumë energji se vitin paraardhës, nga Hidrocentrali i Fierzës 71% më shumë se 2009-ta, nga Komani 39% më shumë, nga HEC Vau Dejës 39%, nga Kaskada e Matit 25%, nga HEC Ulëz 26%, nga HEC Shkopet 24% më shumë, nga Kaskada e Bistricës 2% etj. Kështu, KESh ka arritur për 2010-ën të realizojë misionin e saj primar, që është rritja e prodhimit të energjisë elektrike nëpërmjet shfrytëzimit optimal të të gjitha kapaciteteve gjeneruese, duke garantuar harmonizimin e të gjitha aspekteve që lidhen me treguesit e sigurisë së punës të sistemit, cilësinë e shërbimit të mallit energji elektrike si dhe koston e saj. Sipas KESh-it, ky misioni qartësisht synon fuqizimin e rolit të KESh sh.a. në tregun e energjisë dhe promovimin e rolit të saj aktiv në prodhimin e energjisë elektrike në rajon.