E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arben Tafaj, sallam dhe hidrocentrale

Qeveria Berisha i ka dhënë një koncesion HEC-i firmës së sallamit që ka si pronar kryetarin e minibashkisë së njësisë bashkiake numër 8, Arben Tafaj. Prej vitesh, ai është drejtues i kësaj minibashkie i zgjedhur si kandidat nga Partia Demokratike. Sipas QKR-së, firma e licencuar për prodhime sallami e bimë mjekësore.

Vendimi i qeverisë është marrë në mbledhjen e fundit, e mund të cilësohet si klientelist. Autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore, për dhënien me koncesion të formës BOT (Ndërtim, Operim dhe Transferim), të hidrocentralit Shutri, është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Miratimin e bonusit prej 2% të pikëve, për rezultatin teknik dhe financiar, në procedurën konkurruese përzgjedhëse (propozim i pakërkuar), që i jepet shoqërive Pashkashesh sh.p.k., dhe Arilta B sh.p.k., për dhënien me koncesion të këtij hidrocentrali, thuhet në vendimin e qeverisë. Gjithashtu është përcaktuar se Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në procedurën konkurruese për dhënien me koncesion të hidrocentralit Shutri, të pranojë oferta për të gjithë pjesën e lirë të skemës, ku përfshihet ndërtimi i këtij hidrocentrali. Firma Arilta B sh.p.k është në pronësi të Arben Tafajt. Sipas dokumentit zyrtar të QKR-së, kjo firmë nuk është e regjistruar për fushën e prodhimit të energjisë, por për prodhimin e sallameve. Objekti i firmës është, sipas ekstraktit të QKR-së: Në fushën e prodhimit të mishit dhe të nënprodukteve të tij, import-eksport. Tregtim me shumicë e pakicë të produkteve ushqimore, blegtorale, fruta-perime, prodhime deti, pije freskuese e alkoolike, lëndë të para, materiale ndërtimi, makineri e pajisje, pjesë këmbimi për industri. Transport automjete, mallra dhe pasazhere. Grumbullimin dhe tregtimin e bimëve mjekësore brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Arilta B, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar është themeluar më 11 prill 1995 dhe rezulton sipas QKR-së të jetë ende me status aktiv. Koncesionet e hidrocentraleve të dhëna nga qeveria kanë shërbyer për debate ndërmjet opozitës dhe mazhorancës. Socialistët kanë akuzuar qeverinë se po bën vendime nepotike dhe klienteliste, pasi ato iu janë dhënë të afërmeve të ministrave dhe deputetëve të PD-së. Ndaj këtyre akuzave u përfshi dhe ish-ministri Dritan Prifti, i cili pranoi se njerëz pranë PD-së kanë përfituar nga koncesionet. Mbi bazën e këtyre akuzave dhe vetë Prokuroria e Përgjithshme nisi hetimet e saj për të zbuluar nëse ka apo jo afera korrupsioni dhe abuzim me detyrën për qëllime përfitimi.

SHQIP

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›