Berisha: Unë e çova në burg Delijorgjin dhe Pinarin
Kryeministri Sali Berisha flet në një intervistë në Ora News për implikimin e djalit të tij në ngjarjen e Gërdecit
Mund të na thoni, ju jeni një prind, që si çdo prindi tjetër i dhemb, kur e shikoni në media që publikohen faktet për lidhjet e Shkëlzen Berishës më Gërdecin. Cila është e vërteta e Shkëlzen Berishës në lidhje me Gërdecin?
Në mënyrë absolute nuk më dhemb, kur e bëjnë me qëllim politik. Në qoftë se këta zotërinj, të cilët kanë mijëra faqe deponime, dikush thotë 18 mijë dhe dikush thotë 36 mijë, do të nxirrnin qoftë dhe deponimin më minimal të implikimit qoftë dhe më minimal të djalit tim, unë do të shpreh mirënjohjen më të thellë publike. Çfarë nxjerrin? Me pafytyrësinë e tyre totale nxjerrin një faks të falsifikuar, të cilin ministri e hodhi në gjyq. Beson se, nëse do kishin deponime të tjera, s’do i kishin nxjerrë? Nxjerr një faks me shkrim të falsifikuar, fatmirësisht, dhe që do të provohet saktësisht.
Ka një dëshmi të sekretares së tij...
Pikërisht. Është paditur sekretarja, sepse shkrimi është falsifikuar. E kujt është dora? Sekretarja ka thënë është e ministrit, le ta provojë drejtësia. E kujt është dora që ka shkruar atë porosi? Ka bërë një gabim fatal që ka akuzuar ministrin. Asgjë më të thjeshtë sesa verifikimi i shkrimit nuk ka.
Ka dhe një dokument tjetër për Rrahman Selmanllarin që konsiderohet si miku i djalit tuaj...
Nëse pyetet për djalin tim, unë përgjigjem për djalin tim. Janë 36 mijë faqe, i bindur të jesh ti që nuk kanë lënë përpjekje pa bërë për të krijuar një dëshmi false dhe s’kanë marrë veç atij faksi. Së dyti, ishte Trebicka. E di ti që i kanë ofruar 600 mijë euro Trebickës? E di ti që i kanë ofruar të jetë në krye të listës që të dëshmonte atë që s’ishte? Të sulmosh djalin, se nuk ke ç’t’i bësh të atit.
Keni biseduar me djalin?
Problemi është shumë i thjeshtë. Delijorgji është atje ku është dhe e vërteta është që ai është atje nga kjo qeveri. Ta mësojë opinioni se është nga kjo qeveri. Pinari është atje ku është dhe ta mësojë që është nga kjo qeveri.
Mos është nga kjo prokurori?
Është nga kjo qeveri para së gjithash, sepse për asistentin e Pinarit, Pinari nuk arrestohej. Është qeveria që ka ndërhyrë me gjithë forcën e saj. Është pyetur 1000 herë, ta pyesin edhe 3000 herë dhe të nxjerrin qoftë edhe faktin më të vogël. Kemi dhënë 100 fakte për Edi Ramën me të.
I dhatë fillimisht tender, pastaj e çuat në burg?
Do vij unë aty. Kjo është qyteza Rama- Delijorgji. Të gjitha janë njolla pallatesh. Më thuaj kush është tjetër në Tiranë që ka pasur kaq shumë. E di ti se e ke komshi atë. Cili? Asnjë tjetër. Po pse? Sepse është e përbashkët me të.
A keni prova për të?
Sigurisht. Por nëse ne i kemi treguar atë që meriton për Gërdecin, zotëria nuk i ka anuluar asnjë leje se është qyteza e tyre. Kujt i është dhënë kaq lejet ndërtimi? Imagjinohet kjo? Ne e kemi vendosur atje. Çdo gjë që ai të ketë për djalin tim, është i ftuar 1000 herë ta thotë, por i bindur të jesh ti që nuk i kanë lënë ofertë pa i bërë.
E keni diskutuar me djalin?
Unë diskutoj të vërtetën. E vërteta është kjo që them unë dhe që e dinë të gjithë shqiptarët sepse përveç një faksi të falsifikuar që do faktohet shumë shpejt, nuk kanë nxjerrë dot asnjë gjë tjetër, sepse nuk ka fakte. Po të kishte fakte, do dilnin.
Ka dalë nga tabulatet se djali juaj ka biseduar 59 herë me ministrat, ka shkruar 3 ditë pas Gërdecit në Ministrinë e Mbrojtjes, ka shkuar në Ministrinë e Drejtësisë. Ju jeni kryeministër, djali juaj nuk ka poste politike, pse duhet të shkojë ai nëpër ministri?
Me ministrat bisedojnë me dhjetëra dhe qindra. Djali im pavarësisht se është sektor privat, ka qenë që student një militant, aktivist jashtëzakonisht i flaktë. Me këta ministra ka marrë pjesë në greva, demonstrata. U telefonon dhe unë mendoj se jo 59, por mund të jenë edhe 500 telefonata me ata. Unë nuk mund t’i them djalit mos i telefono këtij apo atij. Djali im i takon ministrat dhe të garantoj. Një pjesë të tyre i njeh, një pjesë të tyre i ka moshatarë.
I takon vetëm nga ana shoqërore apo i takon se i ndikon apo u kërkon?
Le të dalë qoftë edhe ndikimi më i vogël. Cili është ndikimi? Le të dalë, është fat i madh janë 36 mijë faqe. Duan të krijojnë skupe se nuk ka asnjë alternativë tjetër. Ai të vazhdojë sepse unë përkundrazi e ftoj të botojë çdo ditë, sa herë të dojë fotografinë e tij, nuk është i papashëm. Është fare e këndshme.
Kjo fushatë mos bëhet për vajzën, djalin dhe keni rënë viktimë e njëlloj kulture, politike të cilën edhe ju mund ta keni ushqyer me akuza të tilla për gratë e fëmijët e kundërshtarëve politikë?
Kur fëmijët e kundërshtarëve politikë kanë vrarë të tjerë, nuk kam heshtur, ka heshtur drejtësia, por jo unë. Kur fëmijët e kundërshtarëve të mi politikë janë kapur me drogë, kam qenë i detyruar të bëj avokatin publik sepse prokuroria ka heshtur. Pyete pse nuk është asnjë në burg. Janë 400 dosje për qëllime politike mbi të cilat fle prokuroria. Kjo është e vërtetë, e njohur. Nuk janë sulmuar kurrë fëmijët e askujt nëse ata nuk kanë pasur implikime. Fakti që këta më sulmojnë fëmijët pa asnjë bazë, merren me honoraret e një studioje private, të cilat janë as në maksimumin as në minimumin e tyre, dëshmojnë se janë me zero alternativë. Mua këta kështu më ndihmojnë. Këtu Edi Rama nuk ka alternativë tjetër.