Mediu “tradhton” Berishën: Në zyrë u premton, këtu hesht...
Zbardhet procesverbali i mbledhjes së shumëpërfolur të qeverisë, ku kërkohet që firma SAC të marrë me prokurim të drejtpërdrejtë kontratën për demontimin. Kundërshton ashpër Bode, kërkon që të ketë ankand e madje përgjegjësinë për këto veprime ta ketë Ministria e Mbrojtjes. Fatmiri ndjehet i tradhtuar dhe deklaron: “Berisha ua premton këto kontrata, kur i pret në zyrë, ne u themi “Jo”. Gjatë gjithë mbledhjes Berisha duket i bindur përkundrejt Mediut. Hipokrizia e këtij të fundit: “Ishallah nuk na ikën dhe kjo kompani, siç kanë bërë shumë të tjera”
Kryeministri, Sali Berisha, i ka premtuar kompanisë “Southern Ammunition Company” se do i ndihmojë për të marrë kontratën për demontimin e municioneve.
Ky fakt është tepër i rëndë, për shkak se në dokumentet që gazeta botoi dje, rezulton se përfaqësuesi i SAC është Rrahman Selmanllari, miku i ngushtë i djalit të kryeministrit Berisha.
Lobimin e kryeministrit për këtë kontratë e zbulon vetë ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, gjatë të famshmes mbledhje qeverie, ku do kalohej kontrata për SAC.
Gazeta “TemA” zbardh sot procesverbalin e mbledhjes së qeverisë, më datë 17 shkurt. Kjo mbledhje është përfolur shumë për debatet mes ministrit të Financave, Ridvan Bode dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Dhe në fakt ashtu është. Mediu ka synuar që të kalojë përmes qeverisë dhënien e kontratës me prokurim të drejtpërdrejtë për kompaninë SAC, por është kundërshtuar ashpër nga ministri i Financave, Ridvan Bode, që kërkon që një gjë e tillë të bëhet me ankand.
“Për mendimin tim ky problem ka këto elementë: Këtu kemi të bëjmë me një shërbim publik, n’daç shitje, n’daç shërbim, n’daç çfarëdo që të jetë, minimumi bëhet me tender. Këtu vihet me prokurim të drejtpërdrejtë”, - thotë Bode, duke kundërshtuar Mediun që insiston se nuk ka mundësi që kjo të bëhet me ankand, për shkak se nuk ofrohet asnjë kompani tjetër. Por Bode pretendon të kundërtën.
Debati zgjerohet, ndërsa kryeministri e kupton që kundërshtimi i Bodes nuk ka të ndaluar. Duhet theksuar se gjatë gjithë debatit, Berisha shfaqet mjaft i urtë dhe i bindur përkundrejt Fatmir Mediut, çka të lë të kuptosh se ishte i interesuar për kalimin e projektit. Por ministri i Financave kërkon që, në rast se kjo kontratë do jepet me prokurim të drejtpërdrejtë, këtë veprim ta bëjë Ministria e Mbrojtjes, për shkak se Këshillit të Ministrave nuk i lejohet një gjë e tillë me ligj. Këtë fakt e pranon dhe kryeministri, Sali Berisha, sipas të cilit nuk mund të vendosë Këshilli i Ministrave për një kontratë me një emër të specifikuar firme. Berisha dhe Bode thonë se Këshilli i Ministrave mund të vendosë vetëm për procedurat, duke i lënë kështu përgjegjësinë Ministrisë së Mbrojtjes për veprimet.
Këtu Mediu ndjehet pak i tradhtuar dhe deklaron se Berisha po lobon për këto kompani të huaja që vijnë në Shqipëri.
“Dhe unë po e ngre zoti kryeministër, këtu të gjitha kompanive të huaja që vijnë, iu thuhet “Po” nga ana juaj, iu thuhet “Po” me vullnet politik. Nuk ka asnjë implementim për të ecur më tej. Të gjithë janë te dera, vetëm presin dhe ikin”, - deklaron Mediu.
Berisha e mbyll mbledhjen duke thënë se do jetë një grup pune që do shqyrtojë këtë situatë dhe do ri-hartohet projekti. Mediu deklaron se shpreson që edhe kjo firmë të mos ikë si shumë të tjera.
Ajo që bie në sy gjithashtu gjatë diskutimit është nxitimi i madh për të kaluar projektvendimin, edhe pse është fushatë zgjedhore.
Procesverbal i mbledhjes së Këshillit të Ministrave, mbajtur në datën 17 shkurt 2007 për projektvendimin “Për procedurën e çmontimit, çmilitarizimit e tjetërsimit të një sasie municionesh të Forcave të Armatosura, të dala nga armatimi e përdorimi, me shoqërinë amerikane “Southern Ammunition Company”
Mbledhja drejtohet nga kryeministri, Sali Berisha.
Për arsye të justifikuara, në mbledhje mungojnë: ministri i Brendshëm, Sokol Olldashi, ministrja e Integrimit, Arenca Trashani, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka dhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj.
Përveç anëtarëve të Këshillit të Ministrave, në mbledhje marrin pjesë edhe zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, zëvendësministri i Integrimit, Albert Gajo, zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Eno Bozdo, zëvendësministrja e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Marjeta Pronjari dhe zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku.
Sali Berisha: Ky projektvendim vjen i propozuar nga ministri i Mbrojtjes. Fatmir, kjo është ajo që bën vakuumin?
Fatmir Mediu (ministër i Mbrojtjes): Kjo është kompania që bën demontimin mekanik. Deri tani ne paguajmë për të bërë demontimin e municionit, paguajmë pará, 500 dollarë është toni, kurse kjo është kompani që ofron. Sepse interesi i saj është që duke bërë demontimin mekanik, një pjesë të materialeve firma i përdor për interesat e veta. Dhe kjo është një kompani që vjen, investon në Shqipëri të gjitha pajisjet dhe teknologjinë dhe bën të gjithë demontimin në bazë të interesave që ka. Është kompani e licencuar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes dhe njihet në Departamentin e Shtetit.
Njëkohësisht ne kemi si praktikë, p.sh., sot NAMS, të cilën ne paguajmë. Provuam në tri ndërmarrjet që kemi ne: në ndërmarrjen në Poliçan, në ndërmarrjen në Gramsh dhe në ndërmarrjen në Mjekës, të tria ndërmarrjet dalin me humbje, në qoftë se i futen këtij procesi, nuk kemi asnjë fitim. Kurse në rastin konkret kompania ofron rreth 1.5 milionë dollarë. Çmimet janë përcaktuar sipas komisionit të çmimit që kemi në Ministrinë e Mbrojtjes, d.m.th., dalim me fitim, nuk dalim me humbje. Nuk ka pasur oferta të tjera të ngjashme.
Ridvan Bode (ministër i Financave): Atëherë ky është një shërbim që po e tenderon Ministria e Mbrojtjes dhe e bën me tender të drejtpërdrejtë, me prokurim të drejtpërdrejtë. Këtu nuk ka ndonjë të dhënë, nëse do të dalë me humbje apo me fitim ky aktivitet, kemi vetëm një të dhënë që është 1.2 milionë dollarë, është....
Fatmir Mediu: Jo, paguan paraprakisht ai, si nuk dilka me ........, i paguan paraprakisht kompania. Për mallin që merr, del paraprakisht.
Ridvan Bode: Çfarë del?
Fatmir Mediu: Ka vënë çmimet për çdo .....
Ridvan Bode: Çmimet nuk janë që i paguan ai, por do t’i paguash ti, pika 1. e vendimit.
Fatmir Mediu: Më vjen keq, e ke gabim. E ka me sasi sa paguan, e ke në fund fare të relacionit. Janë dy variante: një është me 1 milion dollarë, tjetra është me 1 milion e 600 mijë dollarë, në qoftë se rritet sasia në 20 mijë copë e 14.5. Kjo është në relacion, lexoje.
Ridvan Bode: Unë dua një vendim, nuk më duhet relacioni. Vendimi çfarë thotë? Pika 1. thotë: “Ministria e Mbrojtjes të lidhë nëpërmjet MEICO-s kontratën për çmontimin ........ dhe tjetërsimin e municionit të nxjerrë nga armatimi me shoqërinë amerikane kaq e aq, duke përdorur mënyrën mekanike të çmontimit, llojet e sasitë, çmimet sipas pasqyrës nr. 1”. Çmimet janë këto dhe këto çmime janë për koston tonë. Dhe ke një vendim tjetër, pikë tjetër, që thotë, pika 6. “Të ardhurat e përfituara të trajtohen sipas vendimit nr. aq e kaq, që është 1 për .....
Fatmir Mediu: Këtu janë çmimet për çdo fishek. Është e sqaruar në gjithë relacionin.
Ridvan Bode: E para, një herë kjo bëhet me tender.
Fatmir Mediu: Jo, nuk bëhet me tender, se nuk ka asnjë kompani që ofrohet.
Ridvan Bode: Po nuk pati, vjen ajo tjetra ......
Fatmir Mediu: Po mirë, po ktheni përgjigje, ka tri javë që është nisur.
Ridvan Bode: Dakord, po e kam kthyer përgjigjen. Nuk ke tri javë, por ti e ke sjellë, ke gjashtë ditë dhe brenda gjashtë ditëve mes fushatës elektorale nuk mund të kthehet përgjigje.
Sali Berisha: Ta marrim pak qetë këtë problem.
Ridvan Bode: Për mendimin tim ky problem ka këto elementë: Këtu kemi të bëjmë me një shërbim publik, n’daç shitje, n’daç shërbim, n’daç çfarëdo që të jetë, minimumi bëhet me tender. Këtu vihet me prokurim të drejtpërdrejtë. Argumenti ligjor ka dy referenca ligjore: një referencë që ka të bëjë me ligjin nr. 8671, datë 26.10.2000 dhe që ka të bëjë me këto të çarmatimeve. Dhe ky ligj e ngarkon Këshillin e Ministrave të përcaktojë kriteret, pra thotë në nenin 23, jo në nenin.... “Këshilli i Ministrave përcakton afatet e shërbimit dhe të përdorimit të armëve të Forcave të Armatosura, rregullat për trajtimin e tyre pas heqjes nga armatimi dhe përdorimi. Procedurat dhe përgjegjësitë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”. Pra, Këshilli i Ministrave përcakton vetëm procedura.
Referenca e dytë që i bëhet këtij vendimi, pra në këtë referencën e parë e detyron Këshillin e Ministrave ose i jep të drejtë që të bëjë procedurat se si do të veprohet me çmontimet dhe jo me shpenzimet....... Pra, Këshilli i Ministrave bën vetëm procedurën. Referenca e dytë, që doni të bazoni vendimin, ka të bëjë me ligjin nr. 7512 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private të nismës së lirë të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”. Dhe ky thotë kështu, neni 23 i këtij ligji thotë: “Kalimi i pronës shtetërore në pronë private bëhet nëpërmjet ankandit, shitjes së lirë të aksioneve, dhënies falas të aksioneve shtetërore, personat fizikë, vendas dhe çdo mënyrë tjetër të përshtatshme”. Pra, të dyja këto referenca nuk të japin të drejtë që t’i të justifikosh këtë. Këtu ke të bësh me një ligj për prokurimet, sepse këtu ligji thotë, detyron “bëhet përmes ankandit”, po zëvendëson ankandin me kontratë të drejtpërdrejtë.
Fatmir Mediu: Po pra, se nuk kam asnjë mundësi tjetër të veprimit. Kjo është e thjeshtë. Logjika është e thjeshtë. Deri tani unë paguaj, zoti Bode, për të bërë demontim, paguaj. Kjo kompani ofron që të më paguajë për të bërë demontimin për interesat e saj, se demontimi që unë bëj deri më tani është demontim me djegie, me plasje, ku nuk ngelet asnjë gjë, për shkak të teknologjisë, që ta përdorë firma e interesuar. Dhe në tri ndërmarrjet që kemi ne si Ministri e Mbrojtjes, asnjëra nuk e merr përsipër, se del me humbje. Në këtë rast konkret kompania ofron blerje dhe demontim brenda Shqipërisë për interesin që ajo ka. Ridvan, sikur të merrej i gjithë ky municion dhe të hidhej në det, unë dhe ti do të ishim të lumtur, por nuk na lë Xhuveli, se ndotet deti! Ja pra, kjo është logjika.
Ridvan Bode: Unë po them aspektet ligjore që kanë të bëjnë me transaksionin që po bën. Ato nuk më interesojnë fare, mua më intereson ky moment: ne po marrim pasuri publike, që janë armë në këtë rast dhe po ia japim një kompanie private.
Fatmir Mediu: Është nxjerrje jashtë përdorimit, është me rrezikshmëri shpërthimi e gjitha, siç ndodhi në rastin .......... Është i gjithi municion i tepërt i 40 vjetëve përpara. Nuk ka asnjë efekt luftarak, sot ka probleme, të cilat krijojnë ........
Sali Berisha: Fatmir, a mund të bëhet një tender për këtë?
Fatmir Mediu: Nuk bëhet tender, se nuk ofrohet asnjë. E vetmja kompani në të gjithë historinë 16-vjeçare që është ofruar, është kjo kompani dhe më thotë: “Unë të marr këtë pjesë të municionit.....”
Ridvan Bode: Po formuloje atëherë, lidhim kontratën e drejtpërdrejtë, autorizohet Ministria e Mbrojtjes të lidhë në formën e prokurimit të drejtpërdrejtë.......
Sali Berisha: Jo, ka ligj të prokurimit publik, e ka ligji i prokurimit publik.
Ilir Rusmali (zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave): Këshilli i Ministrave nuk nxjerr dot më asnjë vendim për prokurime, asnjë të vetëm.
Sali Berisha: Jo, nuk e lejon ligji.
Ilir Rusmali: Ministria e bën vetë, ia ka dhënë ligji autoritetin.
Fatmir Mediu: E kamë parë unë këtë, që ministria e bën vetë, por ka tri javë që diskutohet me Drejtorinë Juridike në Këshillin e Ministrave. Ju i bëni sot për një sekondë, kur ka tri javë që diskutohet. Kompania ka një muaj që ka ardhur dhe ka paraqitur ofertën, ka diskutime, d.m.th., intensive me juristë të Këshillit të Ministrave me juristët tanë për të gjetur zgjidhjen. Kjo është zgjidhja që kanë ofruar të dyja palët. Ridvani bën dhe juristin, dhe financierin. Të kthejë përgjigjen me shkrim, të bëhet ballafaqimi.....
Ridvan Bode: Jua kam kthyer me shkrim, e ke me shkrim. E ke shpërndarë përgjigjen me shkrim? Ka ardhur përgjigje përpara kësaj që solle të 2.8. Në ditën e sotme kanë ardhur të gjitha.
Myqerem Tafaj: Nuk më ka ardhur përgjigjja.
Fatmir Mediu: Ore e shtyni, doni ta lini? Lëreni fare, se nuk më intereson!
Ridvan Bode: Ka dy rrugë, o merret vendim për prokurim të drejtpërdrejtë të shitjes së pronës publike, ose zbatohet ligji për prokurimet publike .........
Fatmir Mediu: Sa herë diskutojmë gjëra të tilla, vihemi në një siklet, merre bëje si të duash. Është një municion që rri pa të drejtë në Ministrinë e Mbrojtjes. Absolutisht e vetmja detyrë që kam unë është ta ruaj, nuk kam asnjë detyrë tjetër që të merrem me tregtinë e këtij municioni!
Sali Berisha: Agjencia e Prokurimeve Publike çfarë thotë për këtë rast?
Jemin Gjana: Fatmiri thotë që këtë municion e kam të nxjerrë jashtë përdorimit. Në qoftë se e ka të nxjerrë jashtë përdorimit, ajo nuk figuron më në pasurinë publike të këtij vendi. Në cilin kontabilitet figuron? Në qoftë se unë do të nxjerr një gjë jashtë përdorimit, unë do të gjej mënyrën për ta groposur, për ta hedhur ......
Fatmir Mediu: Tani i fusim nëpër gropa, i shpërthejmë .....
Jemin Gjana: A ka ndonjë dokumentacion që është nxjerrë jashtë përdorimit?
Sali Berisha: Fatmir, e vetmja gjë që nuk kam të qartë unë është pse vjen në Këshill të Ministrave. Këtu nuk jam i bindur, të jem i sinqertë. Sepse ligji i Prokurimeve i ka hequr çdo të drejtë Këshillit të Ministrave. Ia len ministrive.
Fatmir Mediu: Është analizuar nga të gjithë. Nuk ka të drejtë ministri për të vepruar në këtë rast. Po të ishte për të vepruar, ministri vepronte që javën e parë. Janë mbledhur juristët e ministrisë, së bashku me juristët e Këshillit të Ministrave dhe kjo është rruga për të proceduar. Nuk po i hyj shumë analizës së kësaj tani.
Sali Berisha: Mbi cilin ligj e bazon këtë Këshilli i Ministrave?
Fatmir Mediu: Po mirë, referencat janë paraqitur .....
Sali Berisha: Jo, referencat nuk janë të sakta.....
Ridvan Bode: Të dyja referencat unë i dhashë: njëra thotë të shitet publikisht, tjetra thotë, përcakton procedura. Këto janë dy referencat ligjore që ke sjellë këtu.
Fatmir Mediu: Në logjikë të thjeshtë për të vepruar, Ministria e Mbrojtjes, me autoritetin e saj në këtë rast dhe për këtë mall, i cili është mall jashtë eficience, nuk përdoret për asnjë veprim, për asnjë qëllim ushtarak, ka nevojë për një vendim të Këshillit të Ministrave për t’i orientuar marrëdhëniet me këtë kompani, sepse ka një interes të përfitimit kompania në këtë rast. Po të ishte OJQ që të thoshte “po e marr këtë për të tjera”, d.m.th., do t’ia kishim dhënë falas. Në rastin kur ka përfitim kompania dhe të jep edhe ty pará, se nuk e bën pa përfitim, ta ka thënë......
Ridvan Bode: Në të gjitha rastet kur prona publike shitet, tjetërsohet, janë të përcaktuara rregullat. Këtu kemi të bëjmë me një tjetërsim të pronës publike, ndiq rregullat e tjetërsimit të pronës publike. Merr vendim në ministrinë tënde dhe jepja me këto çmime që ke shënuar këtu. Është e thjeshtë. Këshilli i Ministrave nuk ka të drejtë.
Eno Bozdo: Po në qoftë se vlerën e kontabilizuar e ka zero, ndoshta nuk quhet më pronë publike.
Sali Berisha: Jo, ka disa rregulla këtu në fakt.
Fatmir Mediu: E bëjmë zgjidhjen fare thjeshtë, d.m.th., kjo punë zgjidhet nga specialistët e mi, specialistët e Ilirit, se këta nuk kanë njoftuar. Bashkë me të mitë le të ulen të gjejnë zgjidhjen. Absolutisht nuk kam asnjë problem unë. Të ulen dhe të gjejnë zgjidhjen.
Ridvan Bode: Zgjidhjen do ta japësh ti, se e ke ti problemin tënd. Kjo do të vinte këtu, po të lejohej prokurimi i drejtpërdrejtë.
Fatmir Mediu: Në asnjë vend të botës nuk bën vaki kështu siç thua ti. Ky mall, i cili është mall jo imi më, është mall i grumbulluar dhe nga 1997, nga të gjitha ato që ndodhën. Unë bëj vetëm ruajtjen, nuk merrem unë me tregtinë. Unë bëj ruajtjen, unë jap licencën, në qoftë se do të ketë, për shitje armatimi, i cili është në disponim të Forcave të Armatosura. Çojani Ministrisë së Ekonomisë, nuk merrem unë ......
Aldo Bumçi (ministër i Drejtësisë): Ne si Ministri e Drejtësisë kemi thënë që duhet të përcaktohen kriteret se si është përzgjedhur kjo kompani amerikane, pra kaq.
Sali Berisha: Fatmir, e di ku është problemi? Çfarë qëndron dhe çfarë nuk qëndron në këtë vendim? Qëndron për procedurën e çmontimit, çmilitarizimit, tjetërsimit të municioneve të Forcave të Armatosura, që Këshilli i Ministrave duhet të nxjerrë procedurën. Specifikimi për kompaninë nuk është atribut i Këshillit të Ministrave. Këshilli i Ministrave çfarë mund të bëjë? Autorizon Ministrinë e Mbrojtjes që të përdorë këtë procedurë në këto variante, por nuk është Këshilli i Ministrave që flet për kompani, sipas ligjeve të vendit. Nuk ka tagra të flasë më për kompani. Unë kështu e kuptoj këtë. Megjithatë, le të mblidhen ekspertët juridikë edhe një herë.
Fatmir Mediu: Në këtë shtet ka vetëm një gjë, vetëm thuhet çfarë nuk duhet bërë. Se si bëhet, asnjeri nuk ta thotë. Ky është problem i madh. Pra, kam një muaj dhe nuk po më thotë njeri si do të bëhet. Edhe secili të marrë përgjegjësinë. Nuk flasim këtu që unë kam Ministrinë e Mbrojtjes dhe duhet t’i bëj që të gjitha vetëm si Ministri Mbrojtjeje.
Sali Berisha: Atëherë zëvendëskryeministri ngarkohet të thërrasë ekspertët e tri ministrive për t’i dhënë përgjigje dhe me vendim qarkullues.
Fatmir Mediu: Dhe unë po e ngre zoti kryeministër, këtu të gjitha kompanive të huaja që vijnë iu thuhet “Po” nga ana juaj, iu thuhet “Po” me vullnet politik. Nuk ka asnjë implementim për të ecur më tej. Të gjithë janë te dera, vetëm presin dhe ikin.
Sali Berisha: Dakord, tani kjo mori këtë zgjidhje, nuk shkojmë më tutje. Zëvendëskryeministri do të marrë, do të konsultohet ......
Fatmir Mediu: Ishalla nuk ikën dhe kjo si gjithë të tjerat ......
Ridvan Bode: Ne e kemi për detyrë. Të ngarkon ligji ty..... Ta lexova ligjin.
Fatmir Mediu: Ligji më ngarkon mua, kam detyrime që kam marrë përsipër në kuadër të NATO-s. Deri në vitin 2010 duhet të bësh gjithë demontimin.
Ridvan Bode: Zbato rregullat dhe ligjet!
Fatmir Mediu: Unë i zbatoj shumë mirë rregullat dhe ligjet. E kam prurë këtu dhe t’i kthe përgjigjen, kur është për t’u kthyer, se ke filluar vetëm një avaz ke. Sa herë që vij unë në Këshill të Ministrave, do të përgjigjesh, “Sille mendimin tënd me shkrim, të jap edhe unë përgjigjen me shkrim”. Ke afat kohor për të sjellë përgjigjen me shkrim.
Sali Berisha: Atëherë, siç thashë, kjo do të konsultohet nga zëvendëskryeministri me të gjitha këto që u thanë. Jemi Dakord?
(Të gjithë u shfaqën dakord)
Përfundimisht
Këshilli i Ministrave nuk e miratoi projektvendimin e paraqitur “Për procedurën e çmontimit, çmilitarizimit e tjetërsimit të një sasie municionesh të Forcave të Armatosura, të dala nga armatimi e përdorimi, me shoqërinë amerikane “Southern Ammunition Company”, me vërejtjet përkatëse.
Luljeta Durmishi
Stenografoi
Sekretar i Përgjithshëm
Myqerem Tafaj