E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazetarët nën përgjim

Nga Vizion Plus

Dosjes së bujshme "Gërdeci" i shtohet një skandal i ri. Në mënyrë absurde për llogari të këtij hetimi me dhjetëra gazetare janë vënë në përgjim përmes celularëve të tyre. Në dokumentat që Vizion Plus disponon, rezulton se thuajse i gjithë stafi i kompanisë madiatike "Specter", ku bëjnë pjesë Gazeta Shekulli, Revista Specter, Televizoni A1, dhe Radio +2, po kështu për thuajse të gjithë gazetarët e të përditshmes Panorama, është kërkuar informacion pa dijeni, ndërsa punonin për misionin e tyre të informimit. Prokuroria ka kërkuar të zbulojë përmes kontakteve të dhjetëra gazetareve, mbi burimet e tyre të informacionit, edhe pse konfidencialiteti i burimit, është një e drejtë ligjore dhe themelore e lirisë së shtypit në botë, por dhe në Shqipëri. Skandali shtohet, po të sjellim në vëmendje, se organi qëndror i akuzës, nuk vendosi kurrë, të përgjonte apo te pyeste, qoftë edhe një herë të vetme djalin e kryeministrit, Shkëlzen Berisha, edhe pse në faktet që ajo mori në dorë ishte Shkëlzen Berisha, që rezultonte mik i ngushtë i Rrahman Selmanllarit, firmosësit të kontratës së Gërdecit. Në mënyrë Don Kishoteske, hetuesit e dosjes "Gërdeci" kanë kërkuar gjurmë në drejtimin e gabuar, kur shenjat ishin të qarta për implikimin e djalit të kryeministrit Berisha, mikut të tij Selmanllari dhe gjithë strukturës shtetërore, që iu vu në dispozicion. Nga ky keqorientim gjurmimi, organi i akuzës me apo dashje devijoi hetimet, duke e degraduar situatën në ndjekje të gazetarëve që zbardhin skandale, dhe jo të atyre, që e prodhuan atë. Si të mos mjaftonte kjo, Prokuroria tenton të nisë dhe çështje për nxjerrje sekreti, duke mbyllur sytë përballë koncepteve qartazi të ndara, sipas të cilave: hetimi paguhet për të ruajtur sekretin, ndërsa media për ta nxjerrë atë në dritë të diellit. Organi i akuzës shkel kështu dhe mbi parimet e informimit, ne një shoqëri demokratike, një shtyllë bazë e asaj, që preferojmë ta quajmë standard.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›