E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Vaclav Havel frymëzoi popujt në përmbysjen e diktaturave

TIRANË- “Kombet e Evropës humbën një lider të lirisë të shek XX, ish-presidetin e Çekisë, Vaclav Havel”, u shpreh Kryeministri Sali Berisha sot, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, duke i ftuar deputetët të mbajnë një minutë heshtje në nderim të Vaclav Havel.

“Kombet ish-komuniste dhe kombi çek kishin tek Vaclav Havel misionarin, frymëzuesin e përpjekjeve të tyre për liri dhe dinjitet, por dhe të misioneve të tyre paqësore”, tha Berisha, duke shtuar se, “V. Havel ishte intelektuali kryedisident i Europës ish-komuniste, i cili në 30 vite disidencë përjetoi përndjekjet, persekutimin, privacionet, burgosjet, por nuk u mposht në besimin e tij te liria dhe e vërteta, në besimin tek dashuria”.

Kryeministri theksoi se, “Havel në të gjitha veprat e tij u përpoq të dëshmojë tek qytetarët çek dhe mbarë botën absurditetin e regjimit totalitar, ndaj dhe vetëm pak muaj pasi doli nga burgu ai u shndërrua në udhëheqësin shpirtëror të lëvizjes demokratike të Çekosllovakisë dhe udhëhoqi atë që u quajt “Revolucioni i Kadifenjtë”.

“Havel frymëzoi të gjithë popujt në përmbysjen paqësore të regjimeve totalitare”, tha Berisha, duke vijuar se, “shqiptarët kishin tek Havel një mik të vërtetë”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›