E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi i shtetit kandidat dhe dorëheqja

Në bisedat, që kam pasur me diplomatë europianë, mbi temën e një qëndrimi disi preferencial të Brukselit ndaj Serbisë, vazhdimisht, argumenti i tyre ka qenë se Serbia ka kapacitete më të mira administrative se sa vendet e tjera ballkanike, të cilat po presin të marrin statusin zyrtar të kandidatit për anëtarësim në BE apo po presin datë të hapjes së bisedimeve me BE-në. Konceptimi i tyre për kapacitetet administrative përkufizohej sidomos në aftësinë dhe përgjegjshmërinë e zyrtarëve që drejtojnë institucionet shtetërore dhe që i përgatisin ato për integrim me Bashkimin Europian. Ky argument m’u rikujtua, kur më datën 15 dhjetor parlamenti i Serbisë miratoi dorëheqjen e zëvendëskryeministrit për integrimin në Bashkimin Europian, Bozhidar Deliç, kur më 9 dhjetor Këshilli Europian i refuzoi Serbisë marrjen e statusit të shtetit kandidat, brenda asaj dite zëvendëskryeministri i ngarkuar me integrimin në BE, paraqiti dorëheqjen e parevokueshme nga posti i tij. Qeveritari i Partisë Demokratike e shpjegoi aktin e tij si mbajtje e fjalës që kishte dhënë që në muajin gusht se në qoftë që BE nuk do t’i akordonte Serbisë statusin e shtetit kandidat, ai do të jepte dorëheqjen. Por, përtej mbajtjes së fjalës, dorëheqja e zëvendëskryeministrit të Serbisë për integrimin europian është sinjifikative në paraqitjen e asaj që vetë Deliç e përkufizoi si veprim “ në emër të parimit të përgjegjshmërisë”. Dorëheqja e tij jep një shembull të rrallë për Ballkanin Perëndimor sepse nuk ka ndodhur në këtë pjesë të vonuar të kontinentit që një ministër apo një zëvendëskryeministër, pa le më një kryeministër, të japë dorëheqjen pse vendi i tij pëson dështime në hapat drejt integrimit europian.
Çështja e mungesës së përgjegjshmërisë së qeveritarëve, të zyrtarëve më të lartë dhe e politikanëve kryesorë është një nga dobësitë fatale të drejtimit aktual të shteteve të Ballkanit Perëndimor që kanë dalë nga regjimet ish-komuniste. Sepse nga sistemi i mëparshëm komunist ata trashëguan dhe për fat të keq e thelluan papërgjegjshmërinë e qëndrimeve të veprimeve dhe të politikave që kanë formuluar dhe ndjekin, pavarësisht nga pasojat negative që mund të ketë në ecurinë e funksionimit të demokracisë dhe të standarteve të jetesës dhe pavarësisht nga stanjacionet në rrugën e integrimit europian. Akti i zëvendëskryeministrit serb për integrimin europian është pikërisht në vijën e asaj që kërkon dhe vlerëson BE për qeveritë e vendeve aspirante, pra përgjegjshmëria. Sepse ajo bën pjesë në kapacitetin administrativ, etik dhe intelektual për të vendosur raportin e drejtë mes karriges dhe meritës. Sidomos në shtete si ato të Ballkanit Perëndimor, ku si rregull, për qeveritarët, karrigia vlen më shumë se integrimi europian apo se interesi kombëtar.
Natyrisht mosmarrja e statusit të shtetit kandidat nga ana e Serbisë është një goditje për vijën politike dhe për mënyrat apo nivelin e përpjekjeve për integrim, që ka ndjekur qeveria e presidentit Boris Tadiç. Është hera e parë që një samit i BE nuk merr në konsideratë sugjerimin e Komisionit Europian për t’i akorduar një shteti statusin e kandidatit sepse më 9 tetor Komisioni Europian kishte rekomanduar dhënien e këtij statusi për Serbinë. Dështimi ka ardhur për disa shkaqe, por ndër kryesoret është se Serbia nuk arriti të demonstrojë dhe të bindë vendet anëtare të BE se ajo ka vërtet vullnet të qartë politik për integrim europian dhe se ajo është gati të ndjekë një kurs dhe një frymë europiane në lidhje me tensionet dhe marrëdhëniet e acaruara dhe të bllokuara me Kosovën. Tensionet e krijuara prej saj me Kosovën krijuan në fakt bllokun që e pengoi Serbinë të marrë këtë status në dhjetor dhe kjo mund t’ia bëjë përsëri të vështirë që ta marrë edhe në pranverën e vitit të ardhshëm, nëse Serbia nuk do të dëshmojë angazhim të besueshëm dhe të tregojë progres të mëtejshëm duke ecur përpara në zbatimin e besimit të mirë të marrëveshjeve me Kosovën.
Dorëheqja e zëvendëskryeministrit serb për integrimin europian u jep qeveritarëve të tjerë ballkaniko-perëndimorë mësimin se çështja e integrimit në Europë është një çështje qeveritare dhe shtetërore. Është një çështje e marrëdhënieve ndërkombëtare të shtetit me një organizatë ndërkombëtare si Bashkimi Europian. Pra, është çështje e përgjegjësisë dhe e përgjegjshmërisë qeveritare.
Mosmarrja e statusit të shtetit kandidat është rezultat i një politike shtetërore të formuluar dhe të zbatuar nga qeveria e Beogradit jo në përputhje me parametrat dhe kriteret europiane të politikës së fqinjësisë së mirë. Reagimet që pasuan në Beograd në radhët e qeveritarëve dhe udhëheqësve të Partisë Demokratike që drejton mazhorancën reflektojnë pikërisht ndërgjegjësimin se dështimi për marrjen e statusit duhet barazuar me dështimin e qeveritarëve dhe të kursit të tyre. Një nga zyrtarët më të lartë të Partisë Demokratike, nënkryetar i saj dhe kryetar i bashkisë së Beogradit, Dragan Gjilas e vuri gishtin për dështimin e përpjekjeve të marrjes së statusit të shtetit kandidat tek ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç, tek qëndrimet e tij radikale dhe retorika e ashpër për çështjen e Kosovës. Ai kërkoi largimin e ministrit të jashtëm nga posti i tij, me argumentin se “diplomacia nuk e ka bërë punën e saj dhe se ministri i Jashtëm nuk ka as kredibilitet dhe as ndikim tek anëtarët më të rëndësishëm të BE”. Flet për një nivel përgjegjshmërie shtetërore dhe politike fakti që qeveritarët dhe politikanët e lartë të Partisë Demokratike e kërkojnë fajin për dështimin e integrimit europian brenda radhëve të qeverisë, brenda vetes dhe kjo do të thotë të fitosh pikë në Bruksel.
Nuk pamë në Beograd fantazmën komuniste të sindromës “armiku i brendshëm e armiku i jashtëm”. Zëvendëskryeministri i ngarkuar me integrimin europian nuk u fsheh pas mbulesës me emrin “Kosova”. Ai nuk u fsheh as pas mbulesës me emrin “opozitë” sepse është e njohur se opozita serbe që nga PDS nacionaliste e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Vojislav Koshtunica e deri tek Partia Radikale Serbe janë intensivisht dhe agresivisht kundër anëtarësimit të Serbisë në BE. Madje, Partia Radikale Serbe organizoi më 9 dhjetor në Beograd para selisë së qeverisë një protestë kundër kërkesës për t’u bërë shtet kandidat, me parullën “Ne nuk duam të hyjmë në BE”.
Raporti mes përgjegjësisë shtetërore dhe personale është një nga përthyesit më të mirë të kuptimit për funksionimin e një demokracie drejt parametrave europiane. Nëse karrigia shtetërore shërbehet për të fshehur apo si indulgjencë për gabimet dhe paaftësitë personale të ministrit apo zyrtarit, është e qartë se as demokracia dhe as shteti nuk janë funksionalë në masën e duhur dhe më e keqja nuk dëshirojnë të jenë të tillë. Ndaj disa herë, jo vetëm duhet pranuar që shtetet e tjera ballkanike janë më të avancuar në kapacitetet administrative dhe qeveritare, por edhe duhet të mësohet prej tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›