E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Vargjet e Arshi Pipës që ia dedikova Ramës nuk ishin të duhurat

26/08/2011  Kryeministri letër 5 gazetave ku ka sqaruar se vargjet e Arshi Pipës u ngatërruan

Kryeministri Sali Berisha ka reaguar ditën e djeshme mbi vargjet e Arshi Pipës të botuara nga gazeta “Metropol”- një ditë më parë, të cilave sipas gazetës, Berisha iu referua për t’ju kundërpërgjigjur letrës së hapur të kreut të opozitës Edi Rama. Kreu i qeverisë në letrën e tij të hapur drejtuar të përditshmes “Metropol”, si dhe 4 gazetave të tjera në vend ka sqaruar se vargjet e Arshi Pipës që i sugjeroi për lexim rivalit të tij politik Edi Rama, nuk janë ato që janë përzgjedhur e botuar dje nga shtypi i shkruar. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e së mërkurës të Këshillit të Ministrave, Berisha e cilësoi rivalin e tij politik Rama, si piktor dhe publicist të dështuar. “Lidhur me pjesën tjetër të editorialit nuk kam koment. Unë do t’i sugjeroj rivalit apo publicistit Rama të lexojë veprën e Arshi Pipës “Albanian stalinism”. Përgjigjja ime janë dy vargjet e fundit, me të cilat mbyllet ajo vepër, që unë këtu nuk mund t’i citoj. Janë dy vargje për Enver Hoxhën, të cilat ai t’i lexojë vetë dhe uroj që sot në darkë, krahas habereve të akshamit, të dalë edhe letra tjetër e re”,- ishte sugjerimi i Kryeministrit Berisha drejtuar kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama. Dje gazeta “Metropol” dhe disa të përditshme cituan se vargjet e mundshme që Berisha i ka sugjeruar Ramës të lexojë nga vepra e Pipës e titulluar “Stalinizmi shqiptar” janë pikërisht vargjet: “Stalinuç i Shqipërisë/ Paç haram qumësht e sisë/ Paç mallkimin e një nëne/ Pizeveng, doç i sat ëme!”. Por mesa duket Kryeministri ka pasur ndërmend të tjera vargje, përderisa i rrëzoi poshtë si jo të duhurat rreshtat e sipërpërmendura.

Letër e Kryeministrit Berisha drejtuar disa gazetave shqiptare, marrë nga faqja zyrtare e Kryeministrisë

Kryeministri Berisha u dërgoi sot, një letër sqaruese drejtuesve të disa të përditshmeve shqiptare, lidhur me publikimin sot, të disa artikujve që i referohen fjalës së Kryeministrit në mbledhjen e qeverisë.

“Drejtuesve të: “Gazeta Shqiptare”, “Standard”, “Metropol”, “Mapo” dhe “Shqip”!

Të nderuar zotërinj,

Në gazetat tuaja sot janë cituar vargje nga vepra e Arshi Pipës, të cilat, sipas jush, janë pikërisht vargjet që unë i sugjerova t’i lexonte dje zotit Rama dhe t’i pranonte ato si përgjigjen time ndaj letrës së tij të hapur të radhës.

Me këtë letër dua t’ju garantoj se vargjet që ju citoni në gazetat tuaja nuk janë absolutisht asnjeri nga dy vargjet që unë përzgjodha dhe i sugjerova zotit Rama për t’i lexuar si përgjigjen time ndaj letrës së tij. I bindur se gazetarët në veprën e Pipës "Stalinizmi Shqiptar" do të përzgjidhnin sipas shijeve të tyre vargje të tjera nga ato që unë kisha ndërmend, dje iu luta atyre që ata të mos i lexonin dhe të mos ju referoheshin fare vargjeve të librit në fjalë. Meqenëse këtë kërkesë nuk e keni marrë parasysh, unë njerëzisht ju lutem juve, të botoni në gazetat tuaja këtë sqarim timin.

Me respekt,

Sali Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›