E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Vendi yne ka potenciale te medha per tia ofruar cdo investitori

Në ditën e tretë të vizitës në Izrael, Kryeministri Berisha mori pjesë në punimet e Forumit Ekonomik Izrael-Shqipëri, organizuar në Tel Aviv, nga Federata Izraelite e Dhomave të Tregtisë, bashkë me Unionin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë.

Në Forum merrnin pjesë 22 kompani izraelite dhe 35 kompani shqiptare.

Berisha bëri një paraqitje në tregues të zhvillimit ekonomik të vendit, fushave prioritare të zhvillimit dhe potencialeve të mëdha që ofron për investitorët.

Kryeministri ftoi sipërmarrësit izraelitë të investojnë në Shqipëri, duke përfituar nga barra fiskale më e ulët në Europë, klima shumë e favorshme e biznesit, një treg i ri, i arsimuar dhe dinamik pune dhe politikat mbështetëse ekonomike e fiskale të qeverisë shqiptare.

“Ky takim është shumë premtues. Kam shumë besim se këto takime shënojnë një zhvillim shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet tona të ardhme. Jam thellësisht i bindur se mënyra më e mirë për të forcuar miqësinë, bashkëpunimin midis vendeve e kombeve është të zhvillohen dhe të konsolidohen lidhjet ekonomike”, u shpreh Berisha.

Duke shtuar se Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe synon integrimin në Bashkimin Europian.

“Shqipëria ka pasur trashëgiminë më të hidhur dhe të vështirë nga e kaluara. Projekti më madhor i saj është të bëhet një vend i zhvilluar. Ne filluam 18 vjet më parë, si një nga vendet më të varfra në botë dhe të ardhurat për frymë ishin 204 dollarë amerikanë. Në këto dy dekadat e fundit, shqiptarët përdorën liritë. U ndihmuan nga miqtë, por ata derdhën lumenj djerse për të ndërtuar vendin e tyre. Sot, Shqipëria është një vend, ku të ardhurat për frymë janë 8000 dollarë amerikanë. Por ende është në mes të rrugës, ende nuk ka një bulevard përpara, por tani ka një horizont të ri për të arritur.

Shqipëria ka një vizion, ka potenciale të jashtëzakonshme. Por qeveria ime beson se potenciali më i madh i Shqipërisë është liria. Ne jemi të vendosur të punojmë shumë për të zgjeruar liritë për ju. Më lejoni t’ju jap disa të dhëna. Ne jemi një ndër dhjetë administratat më të vogla në botë. Sot, jemi një nga qeveritë me ndërhyrjen më të vogël ndaj bizneseve, në botë. Ne renditemi shumë lartë në disa procedura burokratike, siç janë regjistrimi i biznesit, licencat dhe lejet dhe, nëse vitin e kaluar liria ekonomike në botë pati një frenim, në Shqipëri u rrit me 16 për qind. Qeveria ime, bashkëpunëtorët e mi, çdo ditë shohin si ta zgjerojnë më shumë hapësirën për ju, hapësirën për liritë, hapësirën e tregut. Është jetësore për vendin tim t’ia dalim mbanë. Ne jemi fokusuar shumë për t’ju lehtësuar veprimtarinë, nëpërmjet zvogëlimit të barrës burokratike. Ju mund ta regjistroni biznesin tuaj për 1 euro, në 30 minuta. Prej dy vitesh, funksionon One Stop Shop për lejet dhe licencat, që ka qenë një histori e vërtetë suksesi, pasi hoqëm 2/3-at e të gjitha lejeve dhe licencave. Ka pasur shumë pak raste në lidhje me çështjet e pronësisë. Ne kemi një ligj unik në botë, i cili thotë se nëse investitori ka marrë pronësinë e tokës bazuar në dokumente origjinale shtetërore, nuk mund të ketë ankesa ndaj tij, çdo ankesë duhet t’i drejtohet qeverisë. Ky është një ligj për qetësinë e plotë, nuk ka pasur asnjë ankesë për titujt e pronësisë që kur e kemi bërë këtë ligj”, tha ai.

Duke pohuar më tej, se “Shqipëria është një vend i vogël në hartë, por askush nuk e di më mirë se ju se të qenit i vogël nuk do të thotë që nuk mund të bësh gjëra të mëdha dhe nuk mund të bëhesh i madh”.

“Vendi ka potenciale të jashtëzakonshme për t’i ofruar çdo investitori. Është vendi i vetëm që mund të bëhet tërësisht një prodhues dhe eksportues i energjisë së rinovueshme në rajon. Tani jemi 98 për qind prodhues i energjisë së rinovueshme, por nuk kemi shfrytëzuar besoj më shumë se 15 për qind të të gjitha potencialeve tona të jashtëzakonshme të energjisë së rinoveueshme, qoftë në ujë, erë, energji diellore, gjeotermike, të biomasës. Qeveria ime është përqendruar për ta bërë Shqipërinë një vend të zhvilluar në një mënyrë të gjelbër. Duam të shmangim gabimet e bëra nga vendet e zhvilluara.

Në vitin 2007, ne nxorëm një ligj për hidrocentralet. Ligji është shumë inkurajues. Ai nuk e lejon qeverinë të negociojë drejtpërdrejtë, por parandalon dështimet. Procedurat janë transparente dhe jam i gëzuar që këtu ka njerëz që kanë parë se duke këmbëngulur ia kanë dalë mbanë. Këto janë kompani izraelite. Në një kohë të shkurtër, ne kemi nënshkruar më sektorin privat më shumë se 110 kontrata për ndërtimin e më shumë se 300 hidrocentraleve, një investim rreth 3 miliardë euro. Një nga projektet është edhe një ndër më të mëdhenjtë në Europë, me vlerë 1 miliardë Euro, kaskada e Devollit. Telemenia është një nga këto kompani që, padyshim, ka një prej projekteve më të mirë. Shpresojmë që kompani të tjera izraelite do të kenë interes.

Midis këtyre 300 hidrocentraleve, rreth 72 janë në ndërtim, janë ndërtuar ose kanë filluar të ndërtohen, të gjithë të tjerat ju presin ju. Por krahas asaj, një nga kaskadat më të mira të vendit, lumi Vjosa, një lum në pjesën jugore të Shqipërisë, me rrjedhën më konstante të ujit në vend, një kaskadë me potenciale prej minimalisht 8 hidrocentralesh, është tani në treg. Është publikuar në median ndërkombëtare dhe po pret për investitorë. Po ashtu, është Osumi, një tjetër lum që zbret nga 900 metra lartësi deri në det. Edhe aty është mundësia e një zinxhiri të hidrocentraleve dhe disa kompani izraelite kanë treguar interes për të. Në lidhje me hidrocentralet, nuk ka asnjë vend që ka më shumë potenciale në zhvillim, sesa vendi im.

Ne kemi licencuar 1600 megavat në energji ere, 3200 megavat janë nën studim. Po negociojmë me kompani amerikane për energjinë gjeotermike dhe Izraeli ka kompani të gjeotermikës ndër më të mëdhatë në botë. Ato do të jenë shumë të mirëpritura. Po punojmë për energjinë e erës. Ju siguroj se do të marrim çdo vendim, do të nxjerrim çdo rregull, për të inkurajuar, për të stimuluar prodhimin e energjisë së rinovueshme në vend, sepse kemi nevojë që Shqipëria të bëhet një superfuqi e vogël e energjisë së rinovueshme në rajon.

Ne po dyfishojmë të gjitha rrjetet e konjeksionit me fqinjët, e dyfishuam me Malin e Zi, janë licencuar kabllo nënujore për lidhjen me Italinë, e kemi dyfishuar me Kosovën, së shpejti do të fillojmë ta dyfishojmë me Maqedoninë. Kështu, duke prodhuar në Shqipëri, ju keni mundësi të aksesoni një treg të madh. Të qenit përballë Italisë, që është tregu më gllabërues i energjisë në Europë, ju keni të siguruar eksportin. Dhe me certifikatat e gjelbra, Bashkimi Europian paguan shumë më shumë për investimet në energji të rinovueshme. Kushdo që konsideron investimin në energji të rinovueshme, unë i kërkoj ta konsideroj Shqipërinë, që është një Norvegji e vogël në Ballkan.

Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik. Kur fluturoni sipër vendin tim, gjëja e parë që të vjen në mendje është Zvicra pranë detit. Por, kur zbrisni, zbuloni se ka shumë për t’u bërë. Ndaj, jeni të ftuar të vini të investoni në turizëm. Ne kemi plazhe të jashtëzakonshme. Bregdeti ynë është më i mrekullueshmi që kam parë ndonjëherë. Adriatiku është më ranori, Joni është shkëmbor, me ujëra madhështore. 92 për qind i të gjithë bregdetit tonë duhet zhvilluar dhe ai po pret. Projekti ynë është: së pari resortet turistike, zonat rezidenciale. Ne kemi nevojë për zonat rezidenciale, sepse duam ta kthejmë kombin nga deti. Dhe kjo po funksionon. Gjithashtu, ka zona që po i ofrohen kompanive për të investuar në resorte turistike dhe në rast se toka është publike, investitori do ta marr atë për 1 euro, për 99 vjet, në rast se është private, duhet të kalojë nëpër procedurat private. Ne po ndërtojmë infrastrukturë shumë të mirë në zonat bregdetare. Tani po punojmë edhe drejt zonave malore. Malet tanë janë të virgjër, me peizazhet më të mrekullueshme. Ne po ndërtojmë një sistem të ri fiskal. Çdo investim turistik në malet tona, do të përjashtohet nga taksat për një periudhë 8 vjeçare. Ky është zotimi ynë.

Shqipëria ka tregun e punës më të mirë në Europë: të ri, dinamik, të mirëedukuar, shumë më mirë se në Kinë apo ndokund tjetër.

Shqipëria është një vend shumë i pasur në minerale. Ka rezerva botërore në krom, nikel, hekur-nikel, bakër dhe shumë kompani po punojnë në vendin tim”, tha mes tw tjerash Kryeministri Berisha.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›