Mbërrijnë eurobonot: A është kjo arma për të zgjidhur krizën e borxheve?
Debati për prezantimin e eurobonove pritet sërish të përçajë Europën. Nga e mërkura, Komisioni Europian do prezantojë modelet e reja të bonove të komunitetit, të cilat i quan edhe bono stabiliteti.
Komisionari përgjegjës për Ekonominë, Oli Rehn, thotë se eurobonot janë pjesë e rëndësishme e paketës për të stabilizuar eurozonën. Por qeveria gjermane dhe shumë ekspertë të këtij vendi janë kundër eurobonove, raporton Bild. Sipas tyre, me eurobono borxhet nuk do ulen, për më tepër, gjermanët do paguajnë për borxhet e të tjerëve.
Por çfarë janë eurobonot?
Ato janë bono të përbashkëta për gjithë shtetet e eurozonës.
Deri më tani secili shtet merrte borxh në mënyrë individuale në tregun financiar. Vende si Gjermania sigurisht paguanin interesa shumë të ulëta për shkak të ekonomisë solide dhe besueshmërisë. Vende të tjera si Italia, Spanja apo Portugalia paguajnë interesa shumë të larta. Greqinë nuk e qas më askush në këtë treg.
Por cilat janë avantazhet?
Tani rreziku do të ndahet mes të gjitha shteteve anëtare të zonës euro. Vendet me besueshmëri të ulët në tregun financiar do kenë interesa pak më të ulëta. Kurse vende si Gjermania do paguajnë ndoshta interesa më të larta, duke u treguar solidarë me vendet e tjera. Dhe bëhet fjalë për miliarda euro. Mbi të gjitha gjermanët i druhen një problemi tjetër: shtetet që kanë borxhe të mëdha nuk do disiplinohen kurrë në këtë mënyrë, nëse të tjerët u marrin përsipër mëkatet.