Berisha: Vepra e tribunit të lirisë është e pavdekshme

Shtatorja e Azem Hajdarit përjetësohet në Sheshin “Demokracia” të Qytetit Studenti.
Sot, pas 22 vjetësh, nga ajo ditë, nga ato ditë, nga ato vite, ai që na mungon më shumë, mua dhe të gjithëve ju, është Azem Hajdari. Nder veprës së tij, nder jetës së tij, bashkëpunëtorëve, miqve të tij studentë, të cilët me revoltën dhe qëndresën e tyre bën të lirë kombin më të shtypur të planetit
Shtatorja e Azem Hajdarit përjetësohet në Qytetin Studenti. Nga i njëjti vend ku nisi 22 vjet më parë, ëndrra e studentëve të dhjetorit dhe mbarë shqiptarëve për liri dhe demokraci, është përuruar nga kryeministri Sali Berisha dhe Fatmira Hajdari, bashkë me anëtarë të tjerë të familjes Hajdari, shtatorja e Azem Hajdarit, e ngritur në sheshin “Demokracia”, në Qytetin Studenti, në nder të kontributit të tij për përmbysjen e diktaturës komuniste dhe vendosjen e demokracisë në Shqipëri.
Mes qindra qytetarëve, studentë dhe ish studentë të lëvizjes së dhjetor ’90-ës, kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij ka vlerësuar liderin e dhjetorit si tribuni që bëri më shumë për liritë në historinë tonë kombëtare. Përurimi i kësaj shtatoreje për kryeministrin Berisha është një nderim për veprën e tyre të pavdekshme dhe qëndron pikërisht në vendin ku lindën liritë njerëzore dhe individuale, atje ku nisën një nga betejat më të mëdha, më të vështira dhe më të guximshme në historinë e lirisë së shqiptarëve
“Sot në këtë ditë, e cila është dhe ditëlindja e dytë e të gjithë qytetarëve shqiptarë që i besojnë lirisë dhe vlerave të saj, ditë në të cilën 22 vjet më parë studentët e Universitetit të Tiranës të udhëhequr nga tribuni i lirisë, studenti Azem Hajdari, nisën protestën e tyre të madhe, ne inaugurojmë këtu shtatoren e liderit të dhjetorit, shtatoren e studentit, të riut, i cili në historinë tonë kombëtare do të mbetet tribuni që me guximin, kurajën, vendosmërinë dhe vizionin e tij bëri më shumë për liritë tona, për liritë e shqiptarëve”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë, duke iu drejtuar studentëve dhe studenteve tha se, “ju do të kaloni pranë kësaj shtatoreje dhe, natyrisht, në tërësi ju nuk e keni takuar ndonjëherë, nuk e keni njohur liderin e dhjetorit, studentin në krye të studentëve të tjerë të dhjetorit ’90, që ne shqiptarët në të katër anët e këtij vendi do t’i quanim atë kohë engjëjt tanë, engjëjt e lirisë sonë”. Por për ju kjo shtatore, e cila mund të vendosej në çdo bulevard dhe në çdo shesh të kryeqytetit, qëndron më madhërishëm se kudo tjetër, qëndron në nderimin më të madh të veprës tuaj të pavdekshme”, theksoi ai.
Shefi i ekzekutivit solli në vëmendje rëndësinë e përurimit të kësaj shtatoreje. Sipas tij, është një nderim për veprën e tyre të pavdekshme dhe qëndron pikërisht në vendin ku lindën liritë njerëzore dhe individuale, atje ku nisën një nga betejat më të mëdha, më të vështira dhe më të guximshme në historinë e lirisë së shqiptarëve.
“Kjo shtatore qëndron në vendin që për ne shqiptarët që erdhëm në vitet ’90 si njerëzit më të shtypur të planetit do të mbetet djepi ku lindën liritë tona njerëzore dhe individuale, djepi ku rilindi dinjiteti ynë njerëzor. Ndaj, i dashur Azem, nuk mund të kishte vend tjetër më të gjetur, më të rëndësishëm sesa ky shesh, sesa ky qytet, ku ti nise një nga betejat më të mëdha, më të vështira, më të guximshme në historinë e lirisë së shqiptarëve”, tha kryeministri.
Berisha kujtoi kohën e takimit 22 vjet më parë me liderin e Dhjetorit dhe konstatoi një vendosmëri për të realizuar ëndrrat e lirisë, sepse pa tek Azemi një lider të jashtëzakonshëm.
“22 vjet më parë, me datë 9 dhjetor, afërsisht në këtë kohë, në një ditë shiu, pothuajse, si kjo ditë sot, pata fatin e madh të takoj për herë të parë në jetën time, të ulem dhe të bisedoj me Azem Hajdarin, tek i cili konstatova një vendosmëri absolute për të realizuar idealet e lirisë së bashkë-studentëve të tij, por edhe të mbarë shqiptarëve. E kisha parë disa orë më parë në demonstratën e studentëve në rrugën e ‘Elbasanit’, tek ngrihej mbi supet e tyre dhe brohoriste: ‘Poshtë dinastia!’, ‘Shqipëria si Evropa!’. Më vonë pata fatin ta kem një nga bashkëpunëtorët e mi më të afërt, më të ngushtë. Sot që jam këtu me ju dua t’ju rrëfej se Azem Hajdari është njeriu më të cilin unë takohem çdo ditë, bisedoj me të disa herë në ditë. Azem Hajdari ishte asokohe një bashkëmoshatar i juaji, me njohuritë e një studenti të vitit të tretë të Fakultetit Juridik, por kishte shpirtin e pamposhtur, kishte dhuntitë e një lideri të jashtëzakonshëm. Pas themelimit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari do të vraponte, do të vërsulej në çdo fshat dhe qytet të Shqipërisë për të zhdukur frikën e tmerrshme që diktatura kishte ngulitur në thellësi të shpirtit të njerëzve të shtypur. Me fjalën e tij, oratorinë e tij të zjarrtë ai rendi në mbarë Shqipërinë si një lider liberator. Studentet dhe studentët e udhëhequr prej tij, së bashku me intelektualët, punonjës të kryeqytetit, themeluan më 11 dhjetor partinë e parë opozitare të vendit, Partinë Demokratike, e cila do të shpallej me urgjencë armike e Shqipërisë nga klika diktatoriale në pushtet. Por partia që themeloi Azem Hajdari, që drejtoi Azem Hajdari dhe studentët, i kishte marrë të gjitha vendimet. Ajo kishte marrë vendimin më solemn, të mos tërhiqej, por të sakrifikonte çdo gjë për pluralizmin politik, për liritë politike të shqiptarëve”, deklaroi kryeministri Berisha.
Ai theksoi gjithashtu se “sot, pas 22 vjetësh, nga ajo ditë, nga ato ditë, nga ato vite, ai që na mungon më shumë, mua dhe të gjithëve ju, është Azem Hajdari. Skulptori e ka derdhur atë me një mjeshtëri të rrallë në bronz dhe unë dua ta falënderoj shumë për këtë punë kryevepër që ka bërë. Azemi ka një shtatore, por ai jeton i gjallë dhe do të jetë përjetë, për sa kohë shqiptarët të nderojnë lirinë e tyre dhe mbajnë të pavdekshëm studentin, tribunin, liderin inovator të dhjetorit, Azem Hajdarin, i cili që i bën nder gjithnjë studentëve shqiptarë, të rinjve shqiptarë dhe shqiptarëve në tërësi. Nder për jetë veprës së pavdekshme të liderit legjendar të lirisë së shqiptarëve, udhëheqësit të lëvizjes më masive, më popullore, më të fuqishme që Shqipëria ka njohur ndonjëherë, parlamentarit gojëzjarrtë, oratorit të shkëlqyer, politikanit të pamposhtur, Azem Hajdarit.
Nder veprës së tij, nder jetës së tij, bashkëpunëtorëve, miqve të tij studentë, të cilët me revoltën dhe qëndresën e tyre bën të lirë kombin më të shtypur të planetit”, përfundoi kryeministri Berisha.