Kryeministri Berisha me llogari personale në rrjetin social, Facebook - 37 mijë fansa në 24 orë
Berisha: “Ju ftoj të bashkoheni me mua dhe të komunikojmë lirisht”
"Në 24 orëshin e parë në Facebook, numri i “fansave” arriti në 37,000"
“Ju falenderoj për mbështetjen, është vërtetë shumë emocionuese – sb”, shkruan kryeministri në statusin e tij, impresionet e para si anëtar i rrjetit social Facebook
Nga koncerti festiv në Pallatin e Sporteve “Asllan Rusi” në Tiranë, me rastin e 8 dhjetorit, Ditës së Rinisë, kryeministri Sali Berisha informoi të rinjtë, se do të bëhet pjesë e komunikimit elektronik përmes rrjetit social, Facebook. Duke i ftuar të rinjtë dhe të rejat të komunikojnë së bashku, kryeministri Berisha u shpreh “prej shumë vitesh shkëmbej qindra mesazhe në ditë me të rinjtë, me qytetarët shqiptarë kudo që janë dhe tani janë bërë me qindra e mijëra të tilla”. Ai u kërkoi të rinjve ta ndjekin në Facebook, duke theksuar se do të jetë një mik i tyre në rrjetin social më popullor në botë. “Sot ju, të rejat dhe të rinjtë e Shqipërisë, komunikoni në Facebook më shumë se të rinjtë e shumë e shumë vendeve të zhvilluara. E kam për nder, e kam për kënaqësi të jem në Facebook që sot, që Ditën e Rinisë, si një mik i çdonjërit prej jush. Ju ftoj të bashkoheni me mua, të komunikojmë lirisht. Ne e duam votën tuaj, votën e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, për të ngjitur së bashku Shqipërinë në majat më të larta të shoqërisë dixhitale”- u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se projekti i Shqipërisë dixhitale po ecën drejt dimensioneve të reja. Sot, tha kryeministri, përdorimi i internetit në Shqipëri, është 13 herë më i lartë se gjashtë vjet më parë. “Unë e di se sot ju ende nuk keni nivelet më të larta të shoqërisë dixhitale, të cilat mendja juaj reaktive, imagjinata juaj e pakufishme po i pret me padurim, por ju, përsëri, keni ndër ritmet më të larta në botë të rritjes së Shqipërisë dixhitale. Vetë gjashtë vjet më parë përdorimi i internetit në Shqipëri ishte ndër më të ulëtit në botë, 4.8%, kurse sot ai është 13 herë më i lartë”- tha Berisha.
...