E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Veriu i diskriminuar nga qeveria, emigracioni ka zbrazur Shqipërinë

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha nga Mirdita, ku vijoi turin e Foltoreve të selisë blu, se Shqipëria ka sot lindshmërinë më të ulët për shkak të emigracionit, ndërsa shtoi se ka mungesë investimesh për shkak të diskriminimit që i bën qeveria Veriut.

Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se “Foltorja 2” ka një mision historik, shpëtimin e Shqipërisë nga ajo që ai e cilëson si “narkoregjimi”.

“Vij tek ju me ndjenjën më të thellë të mirënjohjes, të përulem para jush, mençurisë tuaj dhe dinjitetit tuaj. Votuat në zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme kandidatët e opozitës shqiptare, kandidatët e PD-së. Pikërisht për këtë arsye unë zgjodha Mirditën për të çelur siparin me Foltoren e 2-të, e cila dua të them këtu se është foltorja e jetës time. Është foltorja për demokracinë, për familjen, për Shqipërinë”, theksoi Berisha.

Ai u shpreh se emigracioni ka zbrazur Shqipërinë dhe Mirditën.

“Mbyllni për një moment sytë dhe kujtoni fshatrat e bukur të Mirditës: ku janë njerëzit, ku janë nxënësit, ku janë fëmijët? Si kjo është e gjithë Shqipëria. Në 10 vite jemi zhbërë sa kurrë në ekzistencën tonë. Sot kemi atë shtesë popullate që kishim kur ishim gjithsej 700 mijë vetë, 100 vite më parë.

Sot Mirdita dhe Shqipëria kanë lindshmërinë më të ulët për shkak të emigracionit. Nga viti 2018 vdekjet tejkalojnë ndjeshëm lindjet. Me këtë ritëm, deri në vitin 2050 do të pakësohemi me 400-500 mijë vetë. Ne ecim drejt shfarosjes nga ky regjim si kurrë ndonjëherë tjetër”, u shpreh Berisha.

Ish-kryeministri denoncoi edhe atë që e cilëson si diskriminim të Veriut.

“Para 5 ditësh po ndiqja një emision. Gazetarët po tregonin me dokumente se si kryetari i bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi, motra e tij dhe rrethi i tij kishin përfituar 60 milionë euro tendera. Ju garantoj se të gjitha bashkitë e Veriut të marra së bashku në 4 vite, nuk kanë marrë 60 milionë euro investime nga qeveria. Një diskriminim i pastër ndaj Veriut, i cili në prodhimin e përgjithshëm jep qindra-milionë euro, ndërsa në shpërndarje e shihni vetë”, vuri në dukje Berisha.

“14 vite vazhdoi Rruga e Arbrit, dhe gjithsej u përfunduan 27 kilometra; 32 ishin të përfunduara më herët. Vetëm motra e Tërmetit kishte marrë nga vëllai apo rrethi i tij mbi 60 milionë euro tendera”, nënvizoi Berisha.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›