Berisha: Vetëm për imunitetet e ndryshojmë Kushtetutën

Berisha dje ne bashkebisedimin me gazetaret
Berisha: Ska asnjë fishek të trafikuar, PS të ngrejë komision.
Në qershor të 2013 respektoj verdiktin e qytetarëve
Do ndryshojmë Kushtetutën vetëm për imunitetet, sdo ta bëjmë si vegun e Penelopës
Në daljen e parë për mediat që pas zgjedhjes së Presidentit, Kryeministri Sali Berisha u dha përgjigje dje çështjeve më të nxehta të aktualitetit. Berisha ka hedhur poshtë akuzat e opozitës për trafik armësh dhe përgjime të deputetëve të majtë. Kreu i qeverisë kërkoi nga opozita të ngrejë komision hetimor parlamentar nëse kërkon të faktojë akuzat, që sipas Berishës janë shpifje dhe paranojë e liderit të opozitës. Shefi i maxhorancës iu përgjigj dhe temave të tjera, për marrëdhëniet me aleatët, reformën zgjedhore, nismën e heqjes së imunitetit dhe ndryshimit të Kushtetutës.
Duke iu referuar pretendimeve të ngritura nga Partia Socialiste, për sa i takon hetimit parlamentar ndaj ministrit të Mbrojtjes Imami dhe Ministrisë së Mbrojtjes për çështjen e një trafiku të armëve. Pyetja ime është e drejtpërdrejtë: a ka pasur trafik të armëve dhe përgjime për opozitën e diplomatët e huaj, siç pretendon opozita?
Ju garantoj ju dhe të gjithë shqiptarët se në mënyrë kategorike, absolute, nuk ekziston qoftë edhe një fishek i trafikuar nga ky vend. Procedurat e eksportit të armëve, në përputhje me ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare, janë plotësisht transparente. Pra, këta zotërinj kërkojnë teatralitet para mediave. A mund tu shtroni pyetjen: kush i pengoi të paraqesin kërkesë për komision hetimor parlamentar dhe përse nuk e paraqitën? Kontrolli parlamentar, kontrolli administrativ, kontrolli i shtetit, që të gjitha kanë procedurën e tyre ligjore dhe asgjë nuk mund të bëhet jashtë tyre. Ata e dinë që nuk ka trafik, por nuk u intereson kjo, u intereson shpifja. Ata e dinë që nuk ekziston në mënyrë kategorike, absolute, asnjë praktikë e tillë, por kjo nuk ka rëndësi për ta. Për sa i përket regjistrimit, duhet të them se ky është një sindrom i tmerrshëm obsesiv i Edi Ramës, i cili çdo mëngjes, kur shkon në zyrë, kthen përmbys kolltukët. A mund të udhëhiqet një parti nga obsesione të tilla?! Ushtria shqiptare ka zbatuar e zbaton rregulla të plota si institucion i depolitizuar. Ushtria shqiptare ka pasur, ka e do të ketë të gjitha mjetet që asaj i duhen për të përmbushur detyrat e detyrimet e saj kombëtare e ndërkombëtare.
A jeni penduar që nuk e pranuat propozimin e zotit Rama, kur një nga katër propozimet e tij ishte heqja e imunitetit, kur negocionit për Presidentin, sepse PS-ja duket se do ta shtyjë këtë projekt pas këtij sesioni?
E garantoj zotin Rama se edhe në ligjin tjetër, të 2016-s, sërish do ti bëhet çdo lëshim që ai ka nevojë, pasi ne ndahemi në dy koncepte. Përveç asaj që thashë se i takon qeverisë të japë siguritë, unë besoj tërësisht se nuk është ligji që të jep fitoren, por janë qytetarët shqiptarë, janë zgjedhësit. Zoti Rama beson se fiton nëpërmjet ligjit. Unë e vlerësoj faktin se ai është i kënaqur me reformën, por më trishton pak fakti që ai kënaqësinë më të madhe e ka për ndryshimet që u bënë për Tiranën, pasi gjuha shkon ku dhemb dhembi. Na vunë kusht ose të kontrollohen një më një zgjedhësit në Tiranë, ose sbëhet. Unë e mirëkuptova dhe vumë kontrollin e kartës së identitetit, njëlloj si në kufi. Zgjedhësit do të futen në qendrën e votimit, sikur po hyn në një pikë kalimi kufitar. Por ai e kërkoi dhe unë e pranova. Ju e të gjithë shqiptarët jeni dëshmitarë se Partia Socialiste kundërshtonte heqjen e imunitetit nëpërmjet ndryshimit të ligjeve organike dhe kërkoi ndryshimin e Kushtetutës, edhe pse kjo ishte rekomanduar nga Komisioni i Venecias. Është shumica ajo që bëri lëshimin. E kam thënë edhe më parë se zoti Rama e ka shumë të vështirë të dallojë fitoren nga disfata. Ai po fiton, pasi para të gjithë shqiptarëve kërkoi heqjen e imunitetit me Kushtetutë dhe ne, që më parë e kishim kundërshtuar këtë, tani po themi po. Zoti Rama thotë se këshilli i miliarderëve është në anën time. Atëherë e pyes, zoti Rama, ti po mbron këshillin tim të miliarderëve, ministrat e mi? Nuk mund të ndodhë kurrë që një lider opozite të mbajë qeverinë me imunitetit. Ndaj uroj e dëshiroj ta kalojmë.
Ajo që opozita po tenton, është jo vetëm të ndryshojë Kushtetuta për imunitetin, por edhe për çështje të tjera. Do të ishit i gatshëm për këtë? A ka nevojë Kushtetuta për ndërhyrje të tjera?
Unë gjykoj se për Kushtetutën e Shqipërisë nuk ka në mënyrë kategorike veçse komente e vlerësime ndër më pozitivet. Në vitin 2008, me zotin Rama, ne bëmë një reformë kushtetuese që unë do ta quaja të një rëndësie shumë të madhe për vendin. Por ai është si puna e haxhi pishmanit, pendohet për çdo veprim që bën. Unë nuk pendohem. Kur del gabim, unë mbaj përgjegjësi. Pendimi nuk shërben. Tani, ai thotë se është ngutur. Sërish nuk është i sinqertë. Nuk u ngutëm, por është punuar katër muaj për to, me grupet e mirëbesimit. Mund të ketë qenë procedura në fund, por puna ka qenë shumë mujore. Kushtetuta me ato ndryshime ju garantoj se është sot një nga dokumentet më të shkëlqyer ligjor për të drejtën kushtetuese moderne. Por që ta bëjmë Kushtetutën si vegun e Penelopës, e kam deklaruar këtë nuk mund ta bëj. Po, imuniteti është një standard i tepërt në Kushtetutë, sepse imuniteti ka ardhur duke u hequr progresivisht, derisa sot ka vende që kanë zero imunitet. Nuk mund të kërkosh tani për ta shpërbërë Kushtetutën mbi bazën e pendesës, që në fakt ia induktojnë të tjerët, sepse thellë në vetvete ai nuk mund të ketë. Unë besoj se ai ka qenë një akt shumë mirë i medituar.
Pyetja ka të bëjë me reformën zgjedhore, lidhur me kërkesat e partive të vogla, aleate si të Partisë Socialiste, ashtu edhe të Partisë Demokratike. Bashkëkryetari socialist i Komisionit për Reformën Zgjedhore ka thënë se ishte PD-ja ajo që nuk donte të merrte parasysh kërkesën për korrektimin e sistemit zgjedhor. Si qëndron e vërteta?
Po e shpjegoj me një shembull. Gjatë periudhës së dialogut për Presidentin, u ula me zotin Rama dhe zotin Ruçi. Një bisedë e shtruar dhe gjykoj se ai proces i shërbeu shumë vendit. Në mënyrë të papritur, kur, sapo zoti Shpëtim Idrizi përmendi emrin e Fatos Nanos, Gramoz Ruçi kërcen e më thotë mua se nuk isha dakord me Nanon. I them se qëndrimin tim e kam bërë publik, se zoti Nano është lider historik i së majtës dhe po të jetë për këtë, votoja një figurë historike të së djathtës e nuk mund të votoja figurë të së majtës. Ti, i them zotit Ruçi, para një jave drekove 4 orë me zotin Nano. Po, më thotë Ruçi, por atij (Nanos) i thashë se çfarë shërbimesh i ke bërë PS-së dhe çfarë shërbimesh i ke bërë Berishës. Këtë shembull e përmenda për të nxjerrë në pah të vërtetat e deklaratave të tyre, pasi e kanë më të lehtë të akuzojnë Berishës për gjithçka.
Për sa i përket kërkesës së partive të vogla për korrektimin kombëtar të sistemit, ka mundësi të merret parasysh në vjeshtë të këtij viti apo vitin që vjen?
Por a kam unë tagër të flas për një reformë që mezi e kryem, për shkak të një atmosfere, ku çdo germë shihej me lupë? Unë jam shumë i kënaqur që u përfundua, por nuk ka qenë proces i thjeshtë. Ishte një proces hektik. Me gjithë dëshirën që mund të kem, unë nuk kam tagër të them se do të hapet sërish reforma. Po ta kisha shkruar unë atë ligj, do ta shkruaja dhjetë herë ndryshe.
Partitë e vogla, midis të cilëve edhe aleatë tuaj, e kanë cilësuar pazar këtë marrëveshje, që nuk sjell përmirësime, por është bërë për tu hedhur hi syve ndërkombëtarëve. Duke pasur parasysh që çelësi i suksesit në proc