Berisha: Vitin e ardhshëm akademik të hapet Universiteti i Administratës Publike Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë një mbledhje të Këshillit të Ministrave

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, njoftoi sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave hapjen vitin e ardhshëm akademik të Universitetit të Administratës Publike. Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Qeverisë, Berisha kërkoi nga ministri i Arsimit dhe ai i Brendshëm përcaktimin e modelit më të mirë për këtë universitet, duke studiuar modelet më të suksesshme të vendeve të Bashkimit Evropian. “Ministri i Arsimit dhe ai i Brendshëm, të procedojnë me shpejtësi, për të ngritur Universitetin për Administratën Publike”, kërkoi Berisha. Sipas tij, ngritja e këtij universiteti është një domosdoshmëri për të trajnuar, kualifikuar dhe shkolluar punonjësit e administratës publike. Ai tha se aktualisht ekziston një institut trajnimi pranë Departamentit të Shërbimit Civil, por, me gjithë përpjekjet e bëra që ky institut të marrë të gjithë funksionin e vet, kjo nuk është arritur, për faktin e thjeshtë se vetë Departamenti nuk e ka të thjeshtë t’i zhvillojë dhe konsolidojë atributet arsimore edukative të një shkolle të mirëfilltë. Kryeministri Berisha e konsideroi pasjen e një administrate publike të kualifikuar dhe eficente si një faktor shumë të rëndësishëm në etapat e reja të procesit të integrimit evropian. Ai kërkoi që përpjekjet të jenë maksimale në mënyrë që universitetit të fillojë punë vitin e ardhshëm, ndërkohë të fillohet puna për curricul-ën e tij, duke u kërkuar edhe ndihma e vendeve anëtare të BE-së.