Miratohen financime mbi energjinë elektrike, menaxhimin e ujërave dhe mineraret Gjatë një mbledhje të Këshilit të Ministrave

Këshilli i Ministrave miratoi sot, në mbledhjen e tij të radhës, disa projektligje dhe marrëveshje të rëndësishme, ndër të cilat marrëveshjen e financimit me KFW për ndërtimin e unazës së rrjetit elektrik të jugut, një investim prej 11 milionë euro. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë mbledhje, Kryeministri Berisha tha se në tërësi investimi shkon në rreth 70 milion euro dhe se rindërtimi i sistemit të transmetimit të energjisë në jug “përbën një domosdoshmëri të madhe, pasi parametrat, për shkak të distancës, ‘vuajnë’ në zonën e turizmit, megjithëse, fatmirësisht, edhe në burimet ujore të jugut po ndërtohen burime të tjera energjetike, të cilat do të sjellin një balancim shumë të mirë të sistemit energjetik”. Po ashtu, qeveria miratoi marrëveshjen me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për rishpërndarjen e fondeve për financimin e projektit “Menaxhimi i integruar i ujërave dhe ekosistemeve”. Në mbledhjen e sotme u miratua edhe projektligji “Për sektorin minerar në republikën e Shqipërisë”. Kryeministri Berisha tha se ky projektligj synon ta vendosë këtë sektor mbi baza të reja dhe merr parasysh një studim shumë serioz që njësia e Bankës Botërore për Minierat ka bërë për 2-3 vite në Shqipëri.