Vlcek takim me Berishën: Të gatshëm të japim kontributin çek për integrimin e Shqipërisë Kryeministri Berisha priti në takim kryeparlamentarin e Çekisë, Miloslav Vlcek

Kryeministri Berisha priti në një takim një delegacion të parlamentit të Çekisë, të kryesuar nga kryetari i Parlamentit të Çekisë, Miloslav Vlcek. Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen kryetarit të parlamentit të Çekisë, duke shprehur mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e thellë, që Çekia i ka dhënë Shqipërisë, në procesin e saj të integrimit evropian dhe në integrimin atlantik të vendit. “Vizita juaj, është një kontribut i madh në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy popujve tanë. Vendi juaj e ka mbështetur dhe e ka përkrahur Shqipërinë në aspiratat e saj për integrimin në BE, proces të cilin Shqipëria e sheh të bazuar në meritën dhe në rezultatet e reformave të thella të ndërmarra nga qeveria shqiptare për plotësimin e standardeve të kërkuara”, u shpreh Berisha. Nga ana e tij, Vlcek, theksoi se Çekia do të bëjë gjithçka që është në mundësi të saj për të mbështetur dhe ndihmuar fuqishëm liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, si dhe për integrimin në BE. “Ne jemi të gatshëm, që përsa i përket integrimit të Shqipërisë në BE të japim të gjithë ndihmesën tonë përmes ekspertëve dhe dhënies së përvojës, nëpër të cilën ka kaluar Çekia gjatë periudhës së integrimit të saj në BE”, u shpreh kryetari i Parlamentit të Çekisë. Gjithashtu ai shprehu gatishmërinë e Çekisë për të ofruar ndihmën e saj edhe gjatë procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE, duke nënvizuar nevojën e shkëmbimeve të mëtejshme, të takimeve, jo vetëm në nivel kaq të lartë por edhe nivel ekspertësh dhe komisionesh.