E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Vizioni yne, turizmi me cmime të lira e pa betone

Ne ditet e nxehta te veres kur sezoni veror shenon kulmin, kryetari i qeverise premton infrastrukture per turiymin shqiptar. Sipas tij ky do te jete vizioni i qeverise qe ai do te drejtoje. Berisha pati nje takim dhe me Bollanon 

VLORE-SARANDE-Në kulmin e sezonit turistik në vend, Kryeministri Sali Berisha premton se qeveria që ai drejton do të ketë vizion të punës, zhvillimin e turizmit në vend. Deklaratat u bënë dje gjatë vizitës dje në disa fshatra të Bregut të Jonit ku kryetari i qeverisë takoi edhe kryetarin e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano me të cilin pati një bisedë miqësore.
Zyra për shtyp e kryeministrit bëri të ditur sot se dje Berisha u ndal në fshatin Ilias, ku inauguroi rrugën e re për në Manastirin e Shën Theodhorit dhe plazhin e Gjipesë.
Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se “Vizioni ynë është kombi sytë drejt detit. Shekuj e shekuj i kemi mbajtur drejt maleve dhe, e vërteta është se kemi siguruar ekzistencën dhe mbijetesën, por nuk kemi siguruar dot prosperitetin dhe zhvillimin, që na kanë munguar. Ndaj, tani do të kthehemi drejt një pasurie të pafundme, siç është deti. E tërë infrastruktura jonë do të ketë dy qëllime themelore: tregun dhe detin”.

Kryeministri tha se tashmë përpjekjet janë përqendruar në ndërtimin e infrastrukturës së brendshme nga Orikumi në Ksamil.
“Brenda vitit 2010, ne do të përfundojnë të gjitha rrugët që të çojnë drejt detit. ...Shoh me bindje të madhe se në dy vitet e ardhshme e tërë zona e bregut deri në Ksamil do të ketë një infrastrukturë moderne europiane,” u shpreh Kryeministri. duke kerkuar  nga autoritetet vendore që krahas infrastrukturës rrugore, vitin e ardhshëm të hartojnë projekte për sistemet e vaditjes.
Në linjën e turizmit, Kryeministri inkurajoi të gjithë operatorët turistikë t’u ofrojnë pushuesve shërbime cilësore dhe me çmime të leverdishme.
“U gëzova pa masë kur lexova në Eurostat se në hotelet dhe restorantet shqiptare çmimet janë të leverdishme. Ndaj, unë i ftoj të gjithë pronarët e restoranteve, hoteleve dhe shtëpive të kenë çmime të arsyeshme dhe të mos harrojnë se e vërteta është se krahas peizazhit dhe ushqimit, pothuajse 95 përqind e turistëve pëlqejnë çmimet e lira. Ndaj le t’u ofrojmë mikpritjen tonë, çmimet e arsyeshme dhe, në këtë mënyrë, fitojmë shumë më tepër,” tha Kryeministri.
Temë në kuadër të infrastrukturës ka qënë edhe turizmi kundër betonimeve. “Mbrojtja e bregut nga betoni, - tha Kryeministri - duhet të jetë një nga qëllimet më kryesore, sepse ne duhet të ndërtojmë një turizëm ndryshe.
“Nëse shkoni në Himarë do të shihni të gjitha banesat, por, përveç tyre, edhe dy pallate pa leje, të cilat e lëndojnë Himarën deri në palcë. Ato, si pa leje që janë, do të kenë fatin e ndërtimeve pa leje, por nuk besoj se do të përsëriten më.”

Gjatë vizitës në zonën e Bregut, Kryeministri Berisha inauguroi edhe rrugën hyrëse në fshatin Palasë, një investim me vlerë 24 milion lekë. Në përfundim takimeve dhe të disa inaugurimeve të rëndësishme në zonën e Bregut, kryeministri u takua edhe me kryetarin e bashkisë së Himarës Vasil Bollano. Zyra per shtyp e kryeministrit beri te ditur se Kryetari i Bashkisë së Himarës ka falënderuar Kryeministrin Berisha për këtë vizitë si dhe i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e angazhimet e qeverisë nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, në lidhje me zhvillimin e turizmit bashkëkohor dhe kulturor.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›