E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Vizita e ministrave, e rëndësishme për vendin

Kryeministri Sali Berisha është takuar sot me Ministrin e Jashtëm të Italisë, Franco Frattini dhe Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Stavros Lambrinidis. Faqja e kryeministrisë ka publikuar këtë takim, ku kryeministri Berisha i siguroi të dy ministrat se projekti i integrimit evropian ka qenë, është dhe do të jetë projekti më madhor për shqiptarët. Në këtë drejtim, kryeministri Berisha ka theksuar se e tërë puna e qeverisë dhe e institucioneve shqiptare është e fokusuar në realizimin e këtij projekti dhe në plotësimin e 12 prioriteteve të përcaktuara në Opinionin e Komisionit Evropian.

Duke theksuar se 12 prioritetet e përcaktuara në Opinion përbëjnë axhendën e punës së qeverisë shqiptare, kryeministri i njohu të dy ministrat me punën dhe arritjet e qeverisë në zbatim të këtyre prioriteteve si dhe në përmbushjen e një sërë reformash të tjera me rëndësi në funksion të këtij procesi.
 

Kryeministri shprehu vullnetin e plotë të qeverisë dhe të mazhorancës së drejtuar prej tij për të bashkëpunuar me opozitën në përmbushjen me konsensus të të gjitha prioriteteve si dhe për të votuar bashkarisht të gjitha ligjet apo vendimet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se bashkëpunimi dhe jo bllokimi janë mënyra më e mirë për çuarjen përpara të interesave të vendit dhe integrimin e tij në BE. Ai mirëpriti kthimin e opozitës në Parlament duke shprehur dëshirën që kjo të shënojë rikthimin e dialogut politik brënda këtij institucioni.
 

Të dy ministrat shprehën kënaqësinë për vizitën dhe e siguruan kryeministrin se të dy vendet që ata përfaqësojnë, Italia dhe Greqia, janë jo vetëm fqinjë të mirë por dhe miq dhe aleatë të mëdhenj të Shqipërise në procesin e integrimit evropian. Ata theksuan se vizita e tyre vjen në një moment të rëndësishëm të procesit të integrimit të Shqipërisë dhe synon të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.
 

Ndër të tjera, të dy ministrat pasi e falënderuan kryeministrin për vullnetin e qartë në drejtim të integrimit në BE shprehën shpresën se institucionet dhe aktorët politik shqiptarë, në mazhorancë dhe opozitë, do të konkretizojnë në kohë, hapat konkrete të nevojshëm në funksion të integrimit evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›