Lambrinidis: Shqipëria të plotësojë rekomandimet

Mesazhi që dërgojnë ministrat e jashtëm të Italisë dhe Greqisë për politikën shqiptare, është që ka ardhur koha për një bashkim kombëtar drejt rrugës së Evropës. Ministri i Jashtëm i Greqisë, Stavros Lambrinidis theksoi se vizita e tyre në Shqipëri është në çast kritik për integrimin e vendit në BE.
“Një gjë është e qartë nga takimet, që përsa i përket të ardhmes evropiane të Shqipërisë, Shqipëria e ka këtë objektiv të qartë, i cili i bashkon të dyja palët në Shqipëri. Ky është një objektiv i shumicës dërrmuese të popullit shqiptar. Ne jemi këtu të përfaqësojmë BE-në. Zoti Frattini dhe unë gjendemi këtu pasi jemi mbështetës të fortë të Shqipërisë dhe të ardhmes së saj evropiane. Tashmë që parlamenti ka rifilluar punën e vet, ne jemi të mendimit që vëmendja e politikanëve duhet të jetë në 12 prioritetet e BE-së”, u shpreh ministri grek.
Ndër të tjera ai shtoi se KE dhe ministrat e jashtëm të BE-së, janë të mendimit që Shqipëria i ka kapacitetet dhe mundësitë që të arrijë e plotësojë rekomandimet që kërkohen nga BE. Lambrinidis theksoi se Shqipëria ka mundësinë e duhur për të punuar drejt të ardhmes evropiane, dhe se rruga e së ardhmes është e vështirë.