Berisha-Volontes: Rama po bllokon integrimin

Kryeministri Berisha ka akuzuar kreun e PS-së Edi Rama se përmes një qëndrimi bllokues nuk pranon heqjen e imunitetit duke bllokuar kështu edhe marrjen e statusit kandidat për Shqipërinë . Në një takim me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Popullore Europiane në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës Luca Volonte, Berisha i bëri me dije kreut të grupit parlamentar të PPE-së se edhe pse mazhoranca i ka pranuar të gjitha kërkesat e opozitës për heqjen e imunitetit, kreu i PS-së është shprehur se nuk do ta votojë ligjin në Parlament.
"Ai për më shumë se 5 vjet e bllokoi heqjen e imunitetit duke kërkuar që kjo heqje të bëhet nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës. Kur ne pranuam heqjen e imunitetit nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës dhe dorëzuam në Parlament projektin e pregatitur nga KE dhe Euralius, z Rama nuk pranoi të votojë atë por kërkoi të votohet projekti i Partise Socialiste, i cili nuk lejonte arrestimin dhe kontrollin e banesës se deputetit pa miratimin e Parlamentit. Kur ne pranuam kërkesat e tij, zoti Rama përsëri deklaroi se nuk do të lejonte grupin të votonte me date 6 gusht heqjen apo kufizimin e imunitetit megjithse kjo datë eshte caktuar më datën 12 korrik si datë për votimin e heqjes së imunitetit me miratimin unanim të Parlamentit" u shpreh kryeministri.