E Diel, 1 Nëntor 2026

Zv.kryeministri izraelit në Tiranë, hapet Ambasada

Berisha e Lieberman

Takime me Kryeministrin Berisha dhe ministrin e Jashtëm, Panariti.

Lieberman: Kompanitë tona, investime në kohë krize në Shqipëri.

Izraeli hap Ambasadën në Shqipëri. Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Lieberman, ishte dje në Tiranë ku mori pjesë në ceremoninë e përurimit të kësaj ambasade, në prani edhe të Kryeministrit Sali Berisha. Gjatë takimit me kreun e qeverisë, kryediplomati izraelit tha se hapja e Ambasadës do ti shërbejë rritjes së marrëdhënieve midis dy vendeve dhe bashkëpunimit dypalësh. Nga ana e tij, kreu i Ekzekutivit parashtroi disa nga fushat prioritare të zhvillimit, ku potencialet e vendit janë të jashtëzakonshme, si energjia, ku Shqipëria është e pasur me burime ujore dhe potenciale të mëdha për të zhvilluar të gjitha llojet e energjisë së rinovueshme, sektori minerar, ku gjithashtu vendi është i pasur me burimeve natyrore, turizmi, i cili gërsheton bukuritë natyrore me trashëgiminë pasur kulturore dhe sitet arkeologjike. Kryeministri Berisha tha se ishte premtues fakti se interesi i investitorëve izraelitë për të investuar në Shqipëri po rritet, duke garantuar se projektet e tyre këtu do të jenë histori suksesi. Më herët, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin tonë të Jashtëm, Edmond Panariti, kreu i Diplomacisë izraelite e vuri theksin te bashkëpunimi mes dy vendeve, kryesisht në aspektin ekonomik. Shpresoj se kjo gjë nuk do të zhvillojë vetëm marrëdhëniet politike, por gjithashtu do të thellojë edhe marrëdhëniet tona ekonomike. Nga këndvështrimi im, është koha e duhur që tu japim një shtysë këtyre marrëdhënieve ekonomike. Mendoj se, pa dyshim, zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike do të zhvillojë edhe marrëdhëniet politike. Tani, në kohën e krizës ekonomike, mendoj se është koha e duhur për ti ftuar kompanitë izraelite dhe cilindo që kërkon mundësi të reja, dhe shpresoj të shoh gjithmonë e më shumë kompani izraelite këtu në Shqipëri, u shpreh Lieberman. Duke folur për rolin e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore, ai tha se ne kemi marrëdhënie shumë të mira politike dhe vlerësoj ndihmesën tuaj ndaj komunitetit hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është një fakt që të gjithë në Izrael e dinë. Rrënjët e prezencës hebreje këtu datojnë nga shekulli IV dhe sot është hapja e Ambasadës sonë.

Njohja e Kosovës
I pyetur për faktin se Izraeli nuk e ka njohur ende Kosovën, ministri i Jashtëm Liberman tha: Shpresoj që të gjeni zgjidhje paqësore, qoftë nëpërmjet bisedimeve dypalëshe, ashtu edhe nëpërmjet negocimeve të drejtpërdrejta. Rajoni ynë është pjesa më e komplikuar e botës. Ne kemi mjaft situata të komplikuara jo vetëm në rajon, por edhe çështjet brendshme. Qëndrimi ynë ka të bëjë me gjithë rajonin e Ballkanit, ku përfshihet edhe çështja e Kosovës, dhe shpresoj që të gjithë popujt e këtij rajoni ti zgjidhin problemet e tyre paqësisht.

Situata në Lindjen e Mesme
Duke folur për zhvillimet në rajonin e Lindjes së Mesme, u shpreh shqetësimi i përbashkët për aktet brutale të dhunës të regjimit të Al Assad dhe bindja se populli sirian duhet mbështetur në përpjekjet e tij për ti dhënë fund kësaj dhune. Kryeministri Berisha u shpreh se ambicia e Iranit për të zhvilluar programin e tij bërthamor përbën një kërcënim jo vetëm për Izraelin, por edhe për paqen e stabilitetin në botë, thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›