E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha te rrethrrotullimi i Doganës: Gati tenderi për Unazën e Madhe

Kryebashkiaku Basha

Javën që vjen hapet tenderi për Unazën e Madhe, për segmentin nga Teknologjiku te qendra Kristal. Detajet lidhur me projektet i bëri të ditura dje kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, gjatë inspektimit të kryer në rreth-rrotullimin e Doganës, ku po vijojnë punimet. Për Bashën, punimet në këtë pjesë kanë rëndësi të veçantë, pasi gjithmonë kanë qenë pjesë problematike e trafikut të ngarkuar, pasi parametrat që ka sot rruga nuk përballojnë dyndjen e automjeteve. Ne jemi mobilizuar për zgjidhjen e këtij problemi nëpërmjet krijimit të korsive shtesë dhe hapjen e korsive shtesë, për kthimin në Unazën e re, por edhe në pjesë të tjera të rreth-rrotullimit, disiplinimit të kalimit të këmbësorëve nëpërmjet një sistemi të vendosjes së kangjellave nëpër trotuaret e reja të ndërtuara dhe vendosja e sinjalistikës së re vertikale dhe horizontale. Kjo ndërhyrje emergjente ka një kosto prej 54 milionë lekësh, tha Basha. Nga ana tjetër ai theksoi se ndërhyrja te rreth-rrotullimi u paraprin investimeve të tjera, siç është Unaza e Madhe dhe investimit te Rruga e Durrësit. I pari dhe më i rëndësishmi është tenderi që hapet javën që vjen për vazhdimin e Unazës së Madhe nga Teknologjiku te qendra Kristal, ku bashkohet me pjesën ku tashmë është në përfundim e sipër. Unaza e Madhe është një projekt ku Bashkia e Tiranës ka kontribuar me projektin teknik dhe do të investohet me fondet  e qeverisë shqiptare. Ndërkohë, për Rrugën e Durrësit ne jemi në përfundim të projektit që me investimin e qendrës së vetme të kontrollit të trafikut dhe semaforëve, të prezantojmë të paktën dy vendkalime për banorët në dy anët e Rrugës së Durrës, sqaroi kryebashkiaku. Lidhur me një nga sipërmarrjet më ambicioze, siç është ai i Unazës së Madhe, projekti parashikon ndërtimin e rrugëve paralele me të gjitha shtresat rrugore, rrjetin e kanalizimeve të ujërave të ndotura dhe të ujërave të bardha, ujësjellësi, ndriçimin rrugor, gjelbërimin dhe sinjalistikën vertikale dhe horizontale. Në detaje, Bashkia e Tiranës sqaron se Unaza e Madhe është konceptuar të funksionojë si rrugë shpejtësie 80 km/orë, me hyrje-dalje të disiplinuara, me 2 karexhata, të cilat kanë 2 vija kalimi 2 x 3.5 metra, korsi emergjence 3.5 metra, si dhe 3 breza gjelbërimi me gjerësi 2 metra.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›