Përfshirja në politikë, Bamir Topi takon sot Oketën

Topi e Oketa
Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pritet të takohet sot paradite me drejtuesin e Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa. Takimi, i cili ishte lajmëruar ditë më parë nga vetë ish-presidenti, do të zhvillohet në orën 10:00 në hotel Tirana, i cili do të shoqërohet nga këshilltari i tij, Afrim Krasniqi. Nga ana e tij, Oketa pritet të shoqërohet nga Aleksandër Biberaj, por dhe nga Besnik Mustafaj nëse do të ndodhet në Tiranë ditën e sotme. Takimi, i cili është i pari që zhvillohet nën petkun zyrtar, duket se do ta përfshijë Bamir Topin në krye të kësaj partie në kongresin që Fryma e Re Demokratike po përgatit për në muajin shtator. Vetëm pak ditë më parë, sapo ka lënë Presidencën, Bamir Topi ka pasur një darkë me pesë ish-deputetë të Partisë Demokratike dhe dy ish-ministra. Në takim ishin prezentë kryetari i Komisionit Nismëtar të Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, ish-deputet i PD dhe ish-ministër i Mbrojtjes, Aleksandër Biberaj, drejtues i FRD dhe ish-deputet i PD-së, Besnik Mustafaj, ish-ministër i Jashtëm dhe ish-deputet i PD-së, Sali Shehu, ish-deputet i PD-së, Sami Gjergji, ish-deputet i PD-së. Nuk mungonte dhe një nga ish-drejtuesit e PD-së për Tiranën, Sajmir Shehri, sot njeriu që drejton organizimin e FRD në kryeqytet.