E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Votim elektronik, jo kuti. Ruci: Më parë transparenca e kutive

Duke iu referuar krizës aktuale lidhur me kërkesën e opozitës për hapjen e kutive, kryeministri Sali Berisha është shprehur në Kuvend se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë më as kuti, as komisionerë dhe as fletë votimi, por do të ketë votim elektronik. Shefi i qeverisë, duke iu referuar zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm, bëri të ditur se do të votohet me gjurmë gishti bazuar në kartën e identitetit të qytetarit, dhe do të ketë ekrane të fletës së votimit. Ju ndryshoni statutet dhe unë dixhitalizoj votimin, u tha kryeministri deputetëve të opozitës.

“Do ju nxjerr dhe unë nga kutia, në zgjedhjet e ardhshme s’do ketë më as kuti, as komisione, as fletë votimi. Keni frikë nga teknologjia, mos u tregoni prehistorik. S’ka më komisioner, ka vetëm votim me gjurmën e gishtit të bazuar me ID-në. S’do ketë me fletë votimi, do ketë ekrane fletë votimi. S’do ketë më kuti me fletë votimi. Ju do keni prape stilografa për të filmuar, se do ju jap dhe bateri biles. Ju garantoj që ju ndryshoni statutet unë procedurat e votimit, ju ndryshoni statute une do dixhitalizoj votimin, dhe pastaj cfarë do u mbetet ju, jepini fund persekutimit që ju bëni 20 mijë burrave dhe grave të pafajshëm të partisë tuaj. Meruni me Sali Berishën me kritika ndaj qeverisë. Ky është problemi. Do mbeteni sic thotë Noli si kofini pas të vjelit. Dje keni stimuluar humbjen. T’ju rojë lideri, po humbjen e keni të sigurtë”, deklaroi kryeministri.

E lidhur me këtë propozim, shefi i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruci, nuk la shteg të hapur, pasi sipas tij nuk do të ketë zgjidhje të krizës ekonomike pa u bërë më parë transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit.

“S’ka zgjidhje të krizës pa transparencën e zgjedhjeve. Mos haroni që jeni kryeministër i ’96, akuzuam drejt për drejt ju për 2009. Pasi i vodhe zgjedhjet me turp në ’96, me karta elektronike në 2009, tani të ka ngelur të vjedhesh dhe me votim elektronik. Shqiptarët duan zgjidhjen e krizës politike dhe nuk je ti që siguron votimin elektronik apo zgjedhje të lira dhe demokratike, por jemi të gjithë bashkë”, replikoi Ruci.

Kuvend, Berisha: Rritje pagash dhe pensionesh

Kryeministri Sali Berisha bëri të ditur në seancën plenare të pasdites së edhe këtë vit do të ketë rritje pagash e pensionesh. Duke bërë analizën e treguesve ekonomikë të tre mujorit të parë të vitit 2010, Berisha tha se janë pikërisht këta tregues që i japin qeverisë shqiptare këtë mundësi. Shefi i qeverisë tha se ky ishte një dimër i rëndë për Evropës dhe Shqipërinë, por ekonomia shqiptare paraqitet shpresdhënëse, dhe dinamike.

“Megjithatë entuziaste, dinamike, shpresëdhënëse paraqitet ekonomia shqiptare. Dhe unë jam i bindur se këta tregues kanë një anësi të madhe, për të paktën 820 mijë familje shqiptare që kanë buxhetin e tyre të bazuar në rroga ose pensione. Sepse këto tregues i japin mundësi qeverisë shqiptare të përmbushë zotimin e vetë të rritjes së madhe të rrogave dhe pensioneve. Cdo pensionist shqiptar në fshat apo në qytet dhe janë të tillë rreth 520 mijë, do të ketë rritje të madhe të pensionit ashtu sic është premtuar. Cka do të thotë se investimet do vazhdojnë të realizohen sipas parashikimeve”, bëri të ditur Berisha.

Kryeministri foli edhe për rritjen e eksporteve, ndërkohë që kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruci ka hedhur poshtë deklarimet e kryeministrit duke u shprehur se vendi është në krizë politike, ekonomike dhe institucionale. "është për të ardhur keq që kryeministri nuk di numrin e familjeve të shtetit të vetë. Nga 820 mijë familje që thotë kryeministri janë 752 mijë”, tha Ruci.

Nis seanca e pasdites, opozita në sallë vetëm 60 minuta

Ka nisur seanca e radhës e Kuvendit të Shqipërisë, ku Partia Socialiste do të marr pjesë ashtu si dhe në seancat e tjera, vetëm 60 minuta të debatit të lirë. Gjatë këtij debati, ministri i Kulturës Ferdinand Xhaferri ka sjellë në vëmendje të deputetëve cështjen e sheshit "Skënderbej", duke bërë dhe një herë publik fakte për punimet jo legjitime të bashkisë së Tiranës. Menjëherë pas tij, deputeti socialist, Blendi Klosi ka vënë edhe njëherë theksin tek transparenca e votës që i kërkohet maxhorancës. Klosi tha se deri në 30 prill do të ketë cdo ditë një protestë, për të protestuar ndaj hapjes së kutive, rënimit të ekonomisë, rritjes së cmimit etj.

"E vetmja politikë e juaja është si të luftoni opozitën, dhe për këtë arsye ne jemi në protestë. Ka ardhur koha të mendoni seriozisht si do të dilni nga kjo histori, si do të lini politikën...ka ardhur koha të ikni. Lejoni transparencën dhe populli të njihet me rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Vetëm kështu mund të shpëtoni në fundin e karrierës tuaj dicka nga kapitali juaj politik", u shpreh Klosi.

Anisa Braho Azhornuar së fundi ( e premte , 09 prill 2010 ) < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›