E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadic ne Presheve: Merrni pjese ne institucione

PRESHEVE - Presidenti serb Tadiç vizitoi dje Luginën e Preshevës, pa u mbushur as një muaj nga vizita që bëri atje zv/kryeministri shqiptar Ilir Meta. Presidenti i Serbisë Tadiç, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të formojnë Këshillin e tyre Kombëtar, e në këtë mënyrë, të ndërmarrin vetë përgjegjësinë për zhvillimin e shtetit në të cilin jetojnë.

"Dëshiroj t'i inkurajoj shqiptarët tanë për të marrë pjesë në institucionet e tyre kombëtare në Serbi, për shkak se ky (Serbia) është vendi dhe shtëpia e tyre", ka thënë Presidenti Tadiç, gjatë bisedës së sipërpërmendur. Gjithashtu, Tadiç premtoi që përveç fakultetit të Medvegjes të hapet Fakulteti i gjuhës shqipe edhe në Preshevë dhe Bujanovc.

Në këtë mënyrë, Presidenti Tadiç përçon në Luginën e Preshevës të njëjtin mesazh që çoi atje edhe Meta për shqiptarët e Serbisë, që një perspektivë e re po hapet edhe për Luginën e Preshevës, ashtu siç u hap për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë në Beograd. Mediat serbe Tanjug dhe B92 shkruajne se në kuadër të një vizite në qytetin e Medvegjës, Presidenti i Serbisë, B. Tadic, është takuar dhe ka zhvilluar bisedime me studentë të Fakultetit Ekonomik dhe atij Juridik në këtë qytet (Degë e Universitetit të Nishit), si dhe ka marrë pjesë në hapjen e minierës së arit, plumbit dhe të zinkut, në vendin e quajtur "Lece", në afërsi të Medvegjës. Të pranishëm ishin edhe studentë shqiptarë. Kjo vizitë ndodhi ndërkohë që zv/Sekretari i Shtetit të SHBA, Steinberg ndodhej në Beograd. Gjithashtu, gjatë takimit me komunitetin shqiptar që jeton atje, Presidenti serb Boris Tadiç deklaroi se ishte i shqetësuar për diferencat e mëdha ekonomike ndërmjet veriut dhe jugut të vendit.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›