Gjirokastër/ Kapen 50 kg marijuanë, 2 persona në kërkim

Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar mbrëmë vonë sërish drogë që vinte nga Lazarati dhe që ishte e destinuar për në Greqi. Pas operacioneve të fundit të policisë, e cila po mban nën vëzhgim rrugët që lidhin Lazaratin me zonat përreth, trafikantët kanë gjetur një tjetër mënyrë për të transportuar drogën. Kështu, dy persona që mbanin në kurriz dy çanta me 50 kilogramë kanabis gjithësej, kanë dalë në këmbë nga fshati Lazarat duke ecur në drejtim të malit Bureto rreth orës 23 :00 të mbrëmjes.
Pas informacioneve të marra në rrugë operative, forcat e policisë janë vënë në ndjekje të tyre në fushën e Dropullit përballë fshatit Goranxi, por ata kanë mundur të largohen sapo kanë pikasur policinë duke përfituar edhe nga errësira, ndërsa drogën e kanë lënë pas.
Dy trafikantët janë identifikuar, por emrat e tyre nuk bëhen publik për shkak të hetimit. Bëhet fjalë për dy të rinj nga fshati Lazarat dhe nga fshati Bulo.
Forcat e Policisë të ndihmuara edhe nga grupet e ndërhyrjes së shpejtë kanë rrethuar zonën nga u larguan autorët dhe po punojnë për kapjen e tyre.