E Diel, 1 Nëntor 2026

Lajçak në Prishtinë, Sllovakia nuk e njeh ende Kosovën shtet

Sllovakia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës. Kështu u shpreh në Prishtinë, Ministri i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Mirosllav Lajçak, pas takimit me zyrtarë të lartë të Kosovës, duke shtuar se mosnjohja nuk do të krijojë probleme për bashkëpunimin e mëtejshëm midis dy vendeve.

“Përgjigja ime është jo. Ky është qëndrimi ynë zyrtar. Unë mendoj se kjo është mjaftë e qartë. Unë erdha këtu që të demonstroj interesin e shtetit tim për stabilitetin politik dhe zhvillimin e rajonit, si dhe për të diskutuar rreth mënyrave se si mund t’ju ndihmojmë për t’i çuar përpara marrëdhëniet tona, duke respektuar pozicionet e dy vendeve", deklaroi Mirosllav Lajçak, Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë.

Ndërsa, i pyetur rreth Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni, Lajçak preferoi të mos bënte ndonjë koment specifik. “Na lejoni të diskutojmë substancën. Mendoj se kemi humbur shumë kohë duke diskutuar për statusin dhe formatin e tij, kurse mesazhi im i qartë është se duhet të diskutohet më shumë për substancën”, tha ai.

Ndërkohë, Ministri Hyseni, ka kërkuar nga homologu i tij sllovak, që të përkrahë Kosovën në proçesin e integrimit në Bashkimin Evropian. “Unë e mirëprita edhe në këtë takim përkrahjen që Sllovakia i jep EULEX-it dhe aktiviteteve të EULEX-it në Kosovë me të cilët ne po bashkëpunojmë ngushtë, dhe e ftova ministrin Lajncak që vendi i tij ta përkrah Kosovën edhe në rrafshin e liberalizimit të vizave”, tha Skënder Hyseni, Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës. Republika e Sllovakisë është njëri prej 5 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian e cila vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

Bul Salihu < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›