Berisha-Vujanoviç: Bashkëpunim në projekte të përbashkëta

Në vijim të vizitës zyrtare në Mal të Zi, Kryeministri Berisha u takua sot në mesditë me Presidentin malazez, zotin Filip Vujanoviæ.
Presidenti Vujanoviæ i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha dhe i shprehu falënderime për kontributin e madh që ai ka dhënë në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Më tej, ai shprehu vullnetin e Malit të Zi për çuarjen edhe më tej të këtyre marrëdhënieve në të gjitha fushat, në veçanti në fushën ekonomike.
Kryeministri Berisha e falënderoi Presidentin Vujanoviæ për pritjen e ngrohtë dhe tepër miqësore, ndërsa theksoi se ndjek me shumë interes progresin e Malit të Zi dhe shprehu kënaqësinë që ky vend po ecën me shpejtësi drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Kryeministri Berisha e siguroi Presidentin Vujanoviæ se qeveria shqiptare do të vijojë ta mbështesë fuqishëm antarësimin e Malit të Zi në NATO, duke e vlerësuar këtë antarësim si plotësisht të merituar, por edhe si interesi më i mirë i NATO-s, kahu jug - lindor i të cilës do të bëhet më i plotë me anëtarësimin e Malit të Zi në këtë Aleancë. Në takim u ripohua vullneti i palëve për të vijuar bashkëpunimin në projekte të përbashkëta në shumë fusha, si infrastrukturën rrugore, nismën për autostradën Adriatiko-Joniane, projektin për lumin Buna dhe liqenin e Shkodrës, si dhe projekte të përbashkëta turistike, veçanërisht për turizmin malor, për t`i paraqitur alpet si një destinacion jashtëzakonisht tërheqës për turizëm e investime në të dy vendet.
Kryeministri Berisha shprehu, gjithashtu, kënaqësinë për progresin që shqiptarët kanë bërë në Mal të Zi.
Nga ana e tij, Presidenti Vujanoviæ vlerësoi progresin e rëndësishëm dhe arritjet që ka shënuar qeveria shqiptare gjatë kësaj periudhe, të cilat e kanë transformuar dhe shndërruar Shqipërinë në një destinacion shumë tërheqës për investime të huaja, si edhe për turistët.
Në takim, dy personalitetet diskutuan edhe lidhur me zhvillimet në rajon. Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për të shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen që Mali i Zi i ka dhënë në vijëmësi çështjes së shqiptarëve në Kosovë dhe njohjes së Republikës së Kosovës duke e konsideruar atë si një kontribut në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha e ftoi Presidentin malazez, zotin Filip Vujanoviæ, për të vizituar Shqipërinë, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi.