Berisha: Ylli polar i programit të PD, integrimi i Shqipërisë në BE

TIRANË, 8 prill/ATSH Kreu i PD-së, Sali Berisha reagoi sot pas konferencës së përbashkët të Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas dhe kryeministrit Edi Rama në Tiranë.
Në një konferencë për mediat, Berisha u shpreh se “Kallas nuk investoi asnjë nanogram në zotimet e Edi Ramës”.
“Zonja Kallas tha se Shqipëria ka ambicie. Ambicie, që është mashtrimi i Edi Ramës. Por kjo është një rrugë e vështirë që kërkon reforma. I tha edhe tjetrën, që është rrugë gjithëpërfshirëse. Kurse, Edi Rama u përpoq të asociojë mashtrimin e tij me praninë e përfaqësueses së lartë të politikës së jashtme të BE, zonjës Kallas. Por ajo mbajti vendin e vet dhe qëndrimin e vet”, u shpreh ai.
Ai theksoi se “PD ka deklaruar dhe deklaron se ylli polar i programit të saj do jetë integrimi i Shqipërisë në BE. Si do jetë? I bazuar në reforma dhe merita. PD ka deklaruar dhe deklaron se ajo në pushtet do ndërmarrë çdo reformë, do miratojë çdo ligj, çdo vendim, për të kapur çdo standard, për të realizuar çdo kriter që kërkohet për integrimin e plotë të Shqipërisë në BE”..
Berisha nënvizoi se “PD e shpall integrimin si interesin numër 1 të saj, si numrin 1 kombëtar i saj, si ylli polar i programit të saj”.
“Unë garantoj përfaqësuesen e lartë të BE se kjo forcë politikë, që ka qenë e faktuar lokomotivë e të gjitha proceseve integruese në BE dhe NATO, qëndron e përqendruar, e gatshme, e vendosur që rrugën drejt BE ta ndërtojë mbi bazën e meritave, reformave, dinjitetit të vendit, të presë me gërshërët e ligjit dhe zero tolerancë lidhjet e krimit me politikën”, tha Kreu i PD-së.
Gjithashtu, Berisha foli edhe për hapjen e fushatës elektorale ku deklaroi se “LaCivita do jetë në hapjen e fushatës, përfaqësuesi i tij ka ardhur prej ditësh”.