Berisha: Zgjedhje të parakohshme? Vetëm në qershor 2013
BLENDI FEVZIU
Kryeministri Sali Berisha konfirmon qëndrimin e maxhorancës për të ofruar çdo kompromis për opozitën, me përjashtim të hapjes së kutive. Në një intervistë në "Opinion" ai flet edhe për takimin e 20 shkurtit 1991 me ish Presidentin Ramiz Alia dhe debati për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Kodi i jep të drejtë dy anëtarëve të KQZ-së të bëhet rinumërim dhe ai bëhet...
Ligji thotë për vota të kërkuara. Nëse thotë ligji ashtu siç thotë opozita, ai do ishte një nen i kobshëm për opozitën. Sepse shumicën në KQZ e ka Qeveria dhe një qeveri që po humb do përdorte këtë mekanizëm për ta çuar jashtë afatit kushtetues mbledhjen e Parlamentit. Qeveria ka katër anëtarë në komision. Gabon shumë opozita kur bën një interpretim 'sui generis' të këtij neni. Ky nen e ka të qartë zotëri.
A mund të jenë zgjedhjet e parakohshme rrugë e ndërmjetme?
Javën e fundit të muajit qershor të vitit 2013. Mbaje shënim.
E diela e fundit e muajit qershor.
Po e diela e fundit e muajit prill 2011 bashkë me zgjedhjet lokale?
Absolutisht. E diela e fundit e prillit 2011 është një fitore që po shihet në horizont.
Nëse opozita nuk hyn në zgjedhjet e ardhshme lokale do vazhdoni i vetëm në zgjedhje?
Unë nuk them se do vazhdoj i vetëm zotëri. Spektri politik sot është i gjerë. Në zgjedhje do futen forcat politike që dëshirojnë. Detyra e Qeverisë është të bëjë çdo gjë siç bëri në zgjedhjet e 28 qershorit që opozita u fut pa asnjë vërejtje.
A keni besim te Presidenti Topi, marrëdhëniet tuaja me të kanë qenë të tensionuara vitin e fundit?
Absolutisht nuk kanë asnjë ndikim marrëdhëniet e mia me të, me vullnetin tim të qartë për të kontribuar në rezultatin e tryezës.
Në 20 shkurt keni qenë në një takim me Ramiz Alinë, në cilësinë e Presidentit të asaj kohe. çfarë ka ndodhur në atë takim?
20 shkurti është dita që bëri opozitën shqiptare, opozitë.
Nuk ishte opozitë deri në atë moment. Domethënë opozita u bëka opozitë me revolucion thoni ju, ta dëgjojë zoti Rama këtë?
çdo ditë që kaloja dhe shihja statujën e tij, mendja ime më thoshte që ne nuk jemi opozitë, pavarësisht se ne ishim themeluar si opozitë. Për arsye se kulti i tij dhe bronzet ishin edhe të gjalla edhe në bronze. Ishte kuraja e jashtëzakonshme e qytetarëve shqiptarë që donin opozitën dhe që shembën bustin. U zhvilluan një seri takimesh, ku ne kërkonim heqjen e emrit të universitetit. Kjo bëri që studentët të hyjnë në grevë dhe kur u përmbys busti, atyre iu përmbys bota.
Ishte Ramizi i vendosur për të dekretuar gjendjen e jashtëzakonshme?
Kërcënoi në mënyrën më të papranueshme.
Në një procesverbal thuhet që mori vendimin për ta vendosur dhe nuk e vendosi. çfarë ndodhi?
E kundërshtuan shumë. Ne na kërcënoi. Do e vendos tha. Na akuzoi se kemi helmuar studentët. çfarë nuk nxirrte nga goja. Por nuk gjeti përkrahje aty për gjendjen e jashtëzakonshme. U kundërshtua nga Dritëroi, u kundërshtua nga Sabriu. Sigurisht edhe nga unë.
U kundërshtua edhe nga Kristaq Rama...
Mundet, se mohoj. U kundërshtua edhe nga Haxhi Aliko. Ata që ishin aty ishin në unison përveç adil çarçanit, Haxhi Lleshit, i cili çonte dorën në revole se...Marashit iu përvesh aty dhe i tha tradhtar. Adili i tha tradhtar. Ishte një mbledhje shumë nervoze, të cilën Ramizi donte ta shfrytëzonte për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për të shtypur opozitën. Sepse këtë qëllim, kishte zgjedhjet përpara. Për të krijuar atë që e quajti Këshill Presidencial çfarë do ishte të gjitha pushtetet atij. Në fakt ai i kishte, por tani donte të çlirohej nga Adili, të vinte një kryeministër që t'i thoshte se qeveris Këshilli Presidencial dhe jo Qeveria. Ishte një përpjekje e fundit e tij. Ngjarjet e zhvilluara dëshmuan se ai shfrytëzoi atë për të bërë një grusht shteti brenda shtetit.
Ka pasur një bisedë personale mes jush dhe zotit Alia, po kanë qenë gjithmonë në prani të të tjerëve?
Jo kurrë personale. Kemi shkuar ato ditë edhe para grevës, edhe gjatë grevës me 4-5 vetë gjithmonë dhe mund të them edhe me nga 3-4 orë. Nuk bindej për të hequr emrin e universitetit.
Ndërkohë presioni i studentëve vinte nga ju, nga PD?
Ishte Azemi, Arben Imami, Blendi Gonxhe, ishin këta të Kamzës që e organizuan. Pjesa tjetër përpiqeshin të bënin njëlloj zgjidhje, por ne na mbështesnin.
A rrezikonte vendi të rrëshqiste në luftë civile në ato ditë?
E acaruan vetë. Njerëzit u çliruan me rrëzimin e bustit, por bëri mobilizim vullnetarësh dhe i solli me çadra në Kamëz. Ikën ata, i solli nga Skrapari, nga Gramshi, nga Tropoja, por filluan të ikin. Pastaj krijoi lëvizjen e vullnetarëve të Enverit, njerëz që merrnin bustet e Enverit dhe që i shëtisnin nëpër qytete. Ai ishte një histerizëm kolektiv i kufizuar, jo masiv dhe rrëzimi i bustit përbën një nga ngjarjet më të shënuara në historinë e Shqipërisë.